AAK: Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli

E publikuar: 03/09/2022 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për Pakon për Përballjen me Inflacion.

Sipas AAK-së, qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat popullit, duke shtuar se masat e prezantuara sot nga qeveria, janë mashtrim.

Në përkrahje të qytetarëve tanë, në muajt në vijim, do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion.

Përmes subvencionimit të atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet e Republikës sonë, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.

” Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli.. Këto masa që sot janë propozuar nga qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike. Të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60 për qind të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim antiligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

AAK-ja tha se sulmet që kryeministri ua bën komunave janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre.

Sipas kësaj partie, kryeministri më mirë është ta ndërrojë ministrin e vet, sepse komunat nuk mund t’i ndërrojë.

“Pakoja e prezantuar nga Kurti, është mashtrim ordiner. Nuk kapërcehet kriza me lëmoshë. Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSh-së për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese. Paqja sociale nuk blihet me 50 e as me 100 euro”, thuhet tutje në deklaratë.