Gjykimi i ish-luftëtarëve të UCK-së në ditën e pavarësisë, në kohën kur në Prishtinë ishin mbledhur mbi 100 mijë qytetarë për të kundërshtuar krijimin e nivelit të tretë të pushtetit të Serbisë përmes Asociacionit në Kosovë, si dhe arrestimet e ditëve të fundit të eksponentëve të opozitës, janë pasqyra reale e pushtetarëve në raport me vendin që e udhëheqin.
Sipas AAK-së, derisa në ditën më të rëndësishme për Kosovën, një gjykatë regjimi në Beograd, i dënon në mungesë 8 ish-luftëtarë të UCK-së, një ditë më parë ose një ditë më vonë, organet e rendit në Kosovë, akorduan një operacion për arrestimin e disa opozitarëve në mesin e të cilëve edhe të Glauk Konjufcës, Frashër Krasniqit dhe Dardan Molliqajt.
“Konsiderojmë se veprimet e pushtetit gjyqësor në Kosovë, në masë të madhe janë të koordinuara me pushtetin politik, i cili po përballet më kundërshtimin më të fuqishëm që është ushtruar ndonjëherë kundër tij”, thuhet në reagim.
Demonizimi i opozitës dhe përndjekja e pjesëtarëve të saj, vetëm për shkak të veprimit politik, janë shenjë e regjimeve totalitare, të cilat u manifestuan shumë qartë edhe dje nga kryeministri dhe zëvendësi i tij.
“Fjalia e tyre antologjike ‘I pritëm por nuk erdhën dhe ikën me bisht ndër shalë’ shpjegon krejt frustrimin e tyre. AAK, pavarësisht veprimeve dëshpëruese të pushtetit në Prishtinë dhe të agjendes politike të gjykatave në Beograd, do ta vazhdojë aleancën me qytetarin e në mbrojtje të interesave të Kosovës”, thuhet në reagim.