Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate dërguar mediave, ka thënë se kryeministri i vendit, sot minimalisht do të duhej ta kishte shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion, dhe të kishte urdhëruar fillimin e hetimeve ndaj tij.
“Refleksioni normal i këtij pushteti, do të duhej të ishte të paktën deklarimi verbal se Marrëveshja për Asociacionin do të rinegociohet dhe se Qeveria i ndërpret bisedimet me Serbinë, në formën siç janë zhvilluar deri tani dhe të shkarkoi personat përgjegjës për dështimin e Kosovës në Unesco”, thuhet në këtë reagim.
“Përpjekja për t’u sjellë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe loja me nerva dhe skenarët e Hashim Thaçit e të Isa Mustafës që ta detyrojnë opozitën, që me çdo kusht të përdorë mjete të dhunshme për të penguar seancat e parlamentit, në kohën kur nuk ka kushte për një jetë normale parlamentare, janë papërgjegjësi vetëm e tyre”, thuhet më tej.
Prandaj, AAK i bën thirrje Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, që të marrin vendime që çojnë vendin në normalitet dhe të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në eskalimin e situatës.
Njëkohësisht, ky subjekt politik u ka bërë thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve të tyre, që këto marrëveshje t’i kundërshtojnë me qytetari “dhe të mos e pranojnë logjikën e kundërshtimit të dhunshëm e cila mund t’iu imponohet edhe nga provokime të orkestruara ose edhe nga të infiltruar të mundshëm”.
“Opozita nuk e ka ndërmend të bëj kompromis me asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, përfundon reagimi i AAK-së.

















