AAK mbështetë fuqishëm prodhuesit vendorë të qumështit

E publikuar: 15/06/2015 13:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria drejt mbylljes së 50 mijë vendeve të punës dhe falimentimit të gjysmë miliardi euro investime në industrinë e qumështit. 

Aleanca konsideron se kërkesat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit dhe produkteve të tij, në protestën e sotme të fermerëve vendorë, janë të drejta dhe plotësisht të arsyeshme.

Grupi Parlamentar dhe Departamenti për Bujqësi i AAK-së, kanë konstatuar se në vitet e fundit janë grumbulluar me dhjetra probleme në këtë sektor, të cilat Qeveria e Kosovës i ka injoruar dhe vazhdon t’i injorojë.

Industria e prodhimit të qumështit numëron rreth 50 mijë vende pune dhe mbi 500 milionë euro investimeve të sektorit privat në vend. Qeveria e Kosovës, me politikat e veta, po rrezikon falimentimin e kësaj industrie dhe mbylljen e 50 mijë vendeve të punës.

Aleanca kërkon nga Qeveria e Kosovës, që prodhimin vendor dhe importin e qumështit, ta mbështesë me politika të drejta bujqësore, si në vendet e rajonit, ta monitorojë atë me saktësi dhe konform standardeve të industrisë ushqimore.

Po ashtu AAK kërkon që, të gjitha kontigjentet e qumështit që importohen, të kontrollohen në plotni me aktet normative që parasheh HASAP-i. Ndërsa, nga qeveria dhe institucionet tjera të vendit, Aleanca kërkon ndërmarrjen urgjente të këtyre hapave:

  • Aplikimin e Tarifës së Integruar të Kosovës (TARIK), sikur se në vendet e BE-së dhe në vendet e rajonit, me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore;
  • Zbatimin, pa asnjë hezitim,  të ligjit anti-damping;
  • Kuotizimin e importeve të qumështit dhe të produkteve të tij;
  • Rregullimin ligjor të importit të produkteve me prejardhje bimore;
  • Marrjen e masave balancuese ndaj produkteve të subvencionuara, dhe
  • Lirimin nga taksat e importit për materialin e domosdoshëm dhe për lëndën djegëse për prodhim.

Andaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbështetë fuqishëm protestuesit në kërkesat e drejta dhe kundërshton padrejtësitë që po u bëhen këtyre prodhuesve, në monopolet importuese me qumësht, nga kompanitë e caktuara.

Aleanca është deri në fund në anën e prodhuesve vendorë të Kosovës, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.