Pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të saj. Siç thuhet në këtë njoftim arrestimi i saj është bërë në orët e hershme të mëngjesit nga forca të mëdha policore.
AAK, përmes një komunikate dërguar mediave, u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të “mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhra politike të të korruptuarve dhe kriminelëve institucional: Mustafës, Thaçit dhe Veselit”.
“AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkundër shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.
AAK kërkon lirimin sa më parë të deputetes, Donika Kadaj.