AAK-ja pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, mbetet subjekti dominues në Deçan, e cila që nga viti 2007 e ka qeverisur e vetme këtë Komunë. Edhe në mandatin e ardhshëm 4- vjeçar AAK-ja do të qeverisë vetëm Deçanin.
Madje për dallim nga zgjedhjet e kaluara të vitit 2013, AAK-së i është rritur numri në KK për 4 këshilltarë. Në zgjedhjet e vitit 2013 në koalicion me LDD-në, AAK-ja kishte grumbulluar 7 mijë e 170 vota (48,83%), që i kanë sjellë 13 vende në KK, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 22 tetor, sipas rezultateve ende të pa certifikuara nga KQZ-ja, me 9 mijë e 31 vota (59,97%) të fituara, AAK-ja ka siguruar 17 vende prej 27-ve sa janë për t’u ndarë në KK të Deçanit. Për dallim nga rritja e AAK-së, disfatën më të madhe si subjekt në Deçan e ka pësuar LDK-ja, e cila në këto zgjedhje ka pasur 1 mijë e 859 vota më pak se në zgjedhjet e para 4 vjetëve.
Kjo rënie në vota nga 4 mijë e 532 (30,86%), sa kishte në vitin 2013, në 2 mijë e 673 vota (17,75%) në zgjedhjet e tashme, i kanë shkaktuar LDK-së humbjen e 4 vendeve në KK. Prej 9 këshilltarëve, që kishte mandatin e fundit, bie në 5 sa do t’i ketë në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
Dy subjektet e tjera që do të jenë pjesë e KK-së, PDK-ja dhe VV-ja, kanë mbetur në numrat e njëjtë të këshilltarëve që kishin edhe mandatin e kaluar, 3 më saktë 2 këshilltarë, por që njëra ka pësuar rënie ne përqindje të votave të fituara, e tjetra ka shënuar rritje. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, PDK-ja, si subjekti i tretë në këtë komunë, kishte 1 mijë e 854 vota, apo 290 vota më shumë se zgjedhjet e tashme 1 mijë e 564 (10,39).
Për dallim nga rënia e PDK-së në këtë komunë, LVV-ja është rritur për 70 për qind, krahasuar me votat e fituara në vitin 2013. Mirëpo, me gjithë këtë rritje nga 799 vota (5,44%) sa kishte para 4 vjetëve në 1 mijë e 345 vota (8,93%), LVV-ja aktualisht ka serish vetëm 2 vende, ndonëse pas numërimit të votave të diasporës në këtë subjekt shpresojnë se do t’u shtohen edhe vota të tjera të nevojshme për vendin e tretë në KK, e që do të mund t’i kushtonte AAK-së me një vend. Ndërsa subjekti Nisma për Kosovën me vetëm 154 vota (1,02%) nuk ka arritur që të siguronte as një vend në KK.


















