AAK-ja jep 5 rekomandime urgjente për MPB-në

E publikuar: 15/04/2015 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) që sipas tyre po përcillet me mungesë të qasjes profesionale, ideve konkrete, si dhe programit të mirëfilltë dhe politikave të qarta.

AAK thonë se për më shumë se katër muaj të Qeverisë së re, MPB-ja vazhdon pa asnjë ndryshim, as përmbajtësor, madje as simbolik.

Ende nuk është kompletuar. Pra, ende nuk ka as zëvendësministër, edhe pse përgjegjësitë e mëdha të MPB-së e kërkojnë urgjentisht kompletimin.

“Thjesht, ka dobësi në menaxhimin e MPB-së, përkatësisht tërë aktivitetet janë të natyrës administrative-procedurale. Pavarësisht se çfarë deklarata dalin nga Qeveria dhe MPB-ja, dëshmitë janë të kundërta”, thuhet në një komunikatë të AAK-së.

Duke dhënë disa argumente, AAK thotë se MPB-ja është përgjegjëse për udhëheqjen e disa Strategjive të rëndësishme.

Por, për më shumë se katër muaj, nuk janë emëruar as koordinatorët e Grupeve Drejtuese për zbatimin e këtyre strategjive, si: Krimi i Organizuar, Drogat, Anti-trafikimi me Qenie Njerëzore, Terrorizmi, Menaxhimi i Integruar i Kufirit etj, dhe për më shumë se katër muaj, nuk është mbajtur asnjë takim i Grupeve Drejtuese për Implementimin e Strategjive në fushëveprimin e MPB-së.

“Qeveria aktuale tashmë po thotë se luftimi i Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë “top-prioritete” të saj. E si mund të jetë prioritet i Qeverisë luftimi i Krimit dhe Korrupsionit, kur askush nga niveli qeveritar madje as nuk takohen për këto Strategji? Për më tepër, në Programin Qeveritar, janë vetëm 6 paragrafë, saktësisht me vetëm 12 fjali, apo rrafsh 1 faqe prej 89 faqeve të Programit që Qeveria i kushton luftimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Madje, të dyjave bashkë. Dhe, atë vetëm formulime të përgjithshme. Sikurse fjalia: “Sfida kryesore në luftimin e korrupsionit është mungesa e rezultateve të shumta në hetimet e korrupsionit…” (fq. 40). Jo, jo, mungesën e rezultateve mund ta shkaktojnë sfidat tjera e jo e kundërta! Dhe, nëse bazohemi në parimin se “një Qeveri punon në bazë të Programit të saj”, atëherë na del se Qeveria e Kosovës, pikërisht në bazë të Programit, nuk ka synim fare të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. I bie që me numër faqesh, vetëm 1.1 për qind e Programit Qeveritar merret me Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.
A po ju duket se Qeveria e ka prioritet Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit?
Ndoshta po, ama vetëm 1.1 për qind! Argumenti i tretë: Gjendja e rëndë tek zjarrëfikësit. Një argument tjetër është situata tepër e rëndë tek zjarrëfikësit. As nuk ka qartësi në sistem, as nuk kanë kushte pune, as nuk kanë paga të dinjitetshme dhe as nuk kanë sigurime shëndetësore. Madje, 24 kamionët për zjarrëfikësit ka disa muaj (dhjetor 2014 – prill 2015) që janë mbajtur në parking të MPB-së, përkatësisht IPK-së, dhe vetëm dje i janë dorëzuar zjarrëfikësve. Kjo është vërtetë e habitshme”, thuhet në komunikatë.

Një argument tjetër sipas AAK-së është sigurimi shëndetësor për policët dhe emergjencat që nuk po ndodhë.

Sipas AAK-së, vazhdon shkelja e Ligjit për Policinë e Kosovës, ku qartësohet shprehimisht kompensimet e obligueshme ligjore për personelin policor. MPB-ja ka përgjegjësi të madhe për mirëqenien e policëve. E ka obligim. Madje, Policia duhet t’ia kërkojë tërë kohës këtë përgjegjësi MPB-së.

AAK ka rekomanduar Qeverinë dhe MPB-në që të emërojë urgjentisht koordinatorët e Grupeve Drejtuese për Implementimin e Strategjive në fushëveprimin e MPB-së dhe të kompletojë Ministrinë.

“Të mblidhen Grupet Drejtuese dhe të rishikohen shumica e Strategjive, të cilat nuk kanë dhënë efekte; MPB-ja të ndërtojë Programin për Pakon Sociale për Policinë e Kosovës; MPB-ja të fillojë zbatimin e Sigurimit Shëndetësor për policët dhe zjarrëfikësit në mënyrë urgjente, të paktën që nga qershori 2015; Qeveria të rishkruajë Programin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet në komunikatë.