AAK-ja e quan manipulator Pecin: Aleanca është në shtëpi të vet dhe aty do të qëndrojë

E publikuar: 15/03/2024 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)i ka reaguar ministrit të Bujqësisë Faton Pecit, i cili publikoi foto nga zyrat e AAK-së se i ka rikthyer zyrat në pronësi të ministrisë së bujqësisë.

Përmes një komunikate për media, AAK-ja thekson se për këtë objekt paguajnë qira mujore për shfrytëzimin e 569 metra katrorë, në katin përdhese dhe të parë në vlerë prej 4552 eurosh në muaj.

AAK thotë se këtu nuk përfshihet as bodrumi e as kati i dytë, që janë të mbyllura e të lëna në gjendje të mjerueshme.

“Pohimet e këtij far ministrit se gjoja ‘I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit…’, janë pjesë e manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush. Nuk është hera e parë që Peci bënë manipulime të kësaj natyre me qëllim që ta luftojë politikisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sepse edhe ashtu i kanë mbetur pak ditë aty ku është”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

“Ne jemi përpjekur që të jemi të kujdesshëm e të mos hapim debat publik dhe marrëdhëniet kontraktuale t’i kryejmë siç bëjnë subjektet e përgjegjshme, e të pranojmë të paguajmë një qira që është mbi vlerën e tregut, për një objekt që e ka renovuar Aleanca me mjete të veta, por këtë herë nuk mund mos të themi se Faton Peci është një manipulues ordiner. Aleanca është në shtëpi të vet dhe aty do të qëndrojë pavarësisht a i pëlqen dikujt apo jo. Me qëllimin më të mirë që mediat dhe qytetarët të mos bijnë pre e këtyre mashtrimeve, po i publikojmë disa fotografi të hapësirës së pretenduar se i qenka rikthyer ministrisë si dhe kopjen e kontratës së qirasë për shfrytëzim”, thuhet në komunikatën e AAK-së.