AAK distancohet nga deklaratat e Vetëvendosjes për ambasadorin amerikan

E publikuar: 17/11/2015 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja është distancuar nga qëndrimi i Vetëvendosjes, ku më herët indkesonline raportoi se opozita e kishte shpallur ambasadorin amerikan si të paligjshëm.

AAK përmes një komunikate ka mohuar se ka bërë ndonjë deklaratë publike ose private ku e shpallin të paligjshëm ambasadorin amerikan

Kjo është komunikata e plotë e AAK-së

AAK: Deklarata në emër të opozitës për ambasadorin amerikan, ishte shpifje
Përpjekjet e disa mediave që deklarimet individuale dhe krejt jo-formale t’i paraqesin si qendrim zyrtar të opozitës, për gjoja shpalljen e palegjitimitet të ambasadorit amerikan, janë shpifje të ulëta dhe kanë për qëllim që ta tërheqin vemendjen e opinionit publik nga thelbi i problemeve me te cilat po përballet vendi.

AAK-ja nuk ka bërë asnjë deklaratë publike ose private lidhur me qendrimet e ambasadorit amerikan, përkundrazi në vijimësi i ka marr dhe i ka trajtuar me shumë vëmendje.

Për AAK-në, raportimet e shumë mediave për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, janë krejt joprofesionale, e në raste të caktuara, shkojne deri te shpifjet më të ulta.

Jemi të vetëdijshëm që pushteti aktual është duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe mediat që i kontrollon vetë, për ta demonizuar opozitën dhe AAK-në specifikisht.

Njëkohësisht besojmë fuqishëm që çdo llojë propagande, do të mbetet e zbehtë perballë kauzës sonë të drejtë, për të ndalur dy marreveshje të cilat rrezikojnë integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.