AAK dënon ashpër ekspozitën për masakrat: Fyerje, do i kërkojmë llogari Haxhiut – lëndon familjet e të vrarëve
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka ‘’dënuar ashpër’’ ekspozitën në Prishtinë, për masakrat në Kosovë, e cila u kritikua për pasaktësi, duke thënë se, kjo ekspozitë ‘’tenton të shtrembërojë të vërtetën për masakrat e kryera nga shteti serb’’.
AAK, i ka vlerësuar të papranueshme, përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të relativizuar krimet e kryera ndaj popullit shqiptar.
‘’Ekspozita të tilla jo vetëm që cenojnë të vërtetën historike, por edhe lëndojnë rëndë ndjenjat e familjeve të të vrarëve dhe gjithë shoqërisë sonë, duke tentuar të zbehin përgjegjësinë për krimet e kryera.”
Nga AAK është bërë e ditur edhe se, ata do i kërkojnë llogari kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, për sqarim të plotë.
Reagimi:
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër ekspozitën në Prishtinë e cila me vetëdije të plotë tenton të shtrembërojë të vërtetën për masakrat e kryera nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në luftën e fundit.
Përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të relativizuar krimet e kryera ndaj popullit shqiptar janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe kujtimit të tyre. Ekspozita të tilla jo vetëm që cenojnë të vërtetën historike, por edhe lëndojnë rëndë ndjenjat e familjeve të të vrarëve dhe gjithë shoqërisë sonë, duke tentuar të zbehin përgjegjësinë për krimet e kryera.
Veprime të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë për kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës dhe nuk mund të tolerohen në asnjë formë.
Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do t’i kërkojë llogari Kryetares së Kuvendit për sqarim të plotë se mbi çfarë kriteresh është bazuar vendimi për financimin skandaloz të kësaj ekspozite.
Përgjegjësit për këtë akt të papranueshëm duhet të thirren në përgjegjësi.
Në fund, theksojmë se autori i kësaj ekspozite, Shkelzen Gashi është ish-këshilltar në kabinetin e kryeministrit Kurti, çka e bën edhe më shqetësues faktin që narrativa të tilla janë promovuar edhe nga individë që janë pjesë e strukturave të Qeverisë Kurti.

















