A u vendos dje në zyrën e Osmanit për epilogun e 24 hektarëve të Manastirit?

E publikuar: 13/03/2024 18:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

(Fotografia e tekstit- Arkiv) Shtetet e QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë lëshuar një numër të madh deklarimesh të përbashkëta përmes të cilave shprehnin shqetësimin e tyre me mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit dhe kanë kërkuar disa herë radhazi që ai vendim të implementohet dhe 24 hektarët t’i kalojnë Manastirit, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë vendimi është zvarritur dhe hisja e presioni për ta zbatuar të njëjtin vendim i ka rënë edhe kryeministrit Albin Kurti, i cili në të kaluarën ka kundërshtuar vendimin për t’ia dhënë 24 hektarë Manastirit, duke e cilësuar si “vendim të regjimit të Millosheviqit”.

Megjithatë aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës dhe ndërlidhja e avancimit të aplikimit të Kosovës me epilogun që do të marrë çështja e 24 hektarëve, ka bërë që Kurti të ndërrojë qëndrim.

Pajtimi i Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera për të proceduar tutje me implementim duket se ka rrjedhur si rezultat i takimit të djeshëm në Presidencë, ku ishin ambasadorët e QUINT-it dhe kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca.

Ndonëse për këtë takim në zyrën e Osmanit s’është lëshuar asnjë njoftim për media, nje letër e kryediplomates Gërvalla për Këshillin e Evropës zbulon se lëvizjet dhe konkretizimi i regjistrimit të 24 hektarëve kanë ndodhur pikërisht dje.

Në notën verbale të dërguar nga Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në adresë të Këshillit të Evropës, thuhet se institucionet e Kosovës do t’ua përcjellin të mërkurën (sot) edhe certifikatën e regjistrimit të pronës në emër të Manastirit të Deçanit./GazetaExpress/