Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se koalicioni qeverisës duhet të bisedojë përsëri me partitë e vogla politike për të gjetur një zgjidhje për Gjykatën Speciale.
Megjithëkëtë, Haziri ka thënë se s’ka krizë politike për të shkuar në zgjedhje të reja për shkak të dështimit të koalicionit për të votuar Gjykatën Speciale.
“Për aq sa di dhe mendoj se do të shkohet deri në arritjen e votimit për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese”, ka thënë Haziri, për Gazetën Express.
“Nuk është situatë krize që vendin e çon në zgjedhje, përveçse, nëse PDK’ja e rivlerëson sjelljen e disa deputetëve të saj karshi votimit politik që e ka”, ka shtuar ai.
Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se koalicioni qeveritar duhet të bisedojë me partitë e vogla dhe të gjejë një konsensus sa më të madh politik.
“Duhet dhe nuk është e tepërt të tentohet të diskutohet me partitë e vogla politike. Duhet të arrihet një konsensus sa më i gjerë politik. Themelimi i këtij institucioni është special për drejtësinë, për Kosovën dhe mos të harrojmë se është special edhe për faktorin ndërkombëtar, BE’në, SHBA’në”, ka thënë ai.
Ndryshimet kushtetuese s’kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës pasi disa deputetë të PDK’së votuan kundër këtyre ndryshimeve. Kundër themelimit të një institucioni të tillë kanë dalë edhe AAK, VV dhe NISMA për Kosovën.