Gjermania Perëndimore për më shumë se 40 vite ka qenë vija e parë e Luftës së Ftohtë në Evropë, deri në ribashkimin e saj me Gjermaninë Lindore në vitin 1990.
Për Aleancën Veri Atlantike, prania e saj e fuqishme në Gjermaninë Perëndimore, ka qenë, edhe sot është, vet siguria nga Rusia jo vetëm për Gjermaninë por edhe për aleatët tjerë evroperëndomorë.
Është naive që deklarata e diplomatit Hill, se Serbia është më afër NATO-së sesa Kosova, të lexohet literalisht siç bënë disa eksponentë të politikës kosovare.
Në këndvështrimin historik të operimit të deritanishëm të NATO-së dhe realpolitikës (pragmatizmit parimor), deklarata e diplomatit amerikan Hill zë kuptimësinë dhe kumbon për plane të Aleancës që pikërisht Serbia, të jetë vija e parë e frontit kundër Rusisë.
Kjo gjë për dikë edhe mund të duket e pamundur dhe pak e besueshme, por mbështetja shumëvjeçare dhe e fokusuar e NATO-së në Serbi, është evidencë e mjaftueshme për të besuar për plan të tillë, dhe ky nuk përbën lajm ogurzi për Kosovën, siç pati interpretime të tilla sot, përkundrazi.
Ogurzezë jo vetëm për Kosovën dhe rajonin por edhe për aleatët tjerë evroperëndimorë mund të jetë vetëm Serbia e përafruar me Rusinë.
Nën ambrellën e NATO-së sot janë shtetet që kanë bombarduar njëra tjetrën dje, si SHBA, Gjermania, Franca, Italia,Japonia etj. Ato të bashkuara bombarduan Serbinë dje – sot të bashkuara investojnë në Serbi, jo vetëm në kapacitete të modernizimit ushtarak, por edhe të stabilizimit, sigurisë, demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.
Askush nuk mund të pandehë sot se NATO nuk e njeh mirë Serbinë, apo që përfaqësuesi i diplomacisë amerikane atje është i anshëm dhe i joadekuat.
Fundja, përjashtimi i Kosovës nga aktiviteti më i rëndësishëm për FSK-në “Defender Europe 2023”, si pasojë direkte e (mos) veprimeve të qeverisë së Kosovës, flasin mjaft për zellin aktual politik të kësaj qeverie për të qenë më mirë në raport me aleancën veriatlantike.
Mbi këtë premisë, reagimet e tyre ndaj deklaratave të ambasadorit Chris Hill, bëhen bindëse vetëm në hipokrizinë që kanë, dhe nuk janë bindëse për përkushtimin për integrime evroatlantike të Kosovës, apo garën dhe përkushtimin e qeverisë për të qendruar më mirë (se Serbia) me NATO-në. Nuk janë.