A kryen punë udhëzimi për shkarkimin e kryetarëve në Veri dhe çfarë defekte ka- flet juristi Ehat Miftaraj

E publikuar: 05/09/2023 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Policia veri

Ministri Elbert Krasniqi ka publikuar sot versionin final të Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave veriore. Juristi Ehat Miftaraj thotë se posa të hyjë në fuqi udhëzimi, qytetarët mund të nisin iniciativën për peticion. Mirëpo ai vlerëson se ky udhëzimi administrativ nuk është mënyra e duhur për rrëzimin e kryetarëve të komunave. “Nuk është që e plotëson kornizën ligjore”, tha ai.

Sot, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka publikuar versionin final të udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Ky udhëzim administrativ nisi si opsion favorit i krerëve të shtetit për shpalljen e zgjedhjeve të reja, mirëpo më pas ministri Krasniqi tha se i njëjti do të vlejë edhe për komunat tjera.

Krasniqi ka shkruar se ky udhëzim administrativ ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Në momentin që hyn në fuqi ky udhëzim administrativ, juristi Ehat Miftaraj thotë se mund të iniciohet peticioni prej 20 për qind të listave votuese në çdo komunë. Në një prononcim për Gazetën Express, ai sqaroi se pas mbledhjes së nënshkrimeve, mund të caktohet mini-referendumi dhe për shkarkimin e kryetarëve nevojiten 50 për qind+1 votë e votuesve.

“Në momentin që ky udhëzim administrativ hyn në fuqi atëherë në bazë të këtij udhëzimi dhe në bazë të Ligjit për Vetqeverisje Lokale, mund të iniciohet peticioni prej 20 për qind të votuesve në komunë për shkarkimin e kryetarëve të komunave. Nëse mblidhen20 për qind të nënshkrimeve përmes peticionit, atëherë mund të caktohet ky lloj mini-referendumi ku qytetarët mund të dalin të votojnë shkarkimin e kryetarëve, për çka nevojiten 50 për qind plus një votë”, është shprehur Miftaraj.

Drejtori ekzekutiv i IKD’së vlerëson se udhëzimi administrativ nuk është mënyra e duhur për rrëzimin e kryetarëve të komunave, pasi sipas tij, krijon precedent për shkarkimin e kryetarëve që nuk kanë kryer asnjë shkelje.

Miftaraj përmend edhe shpenzimet e “panevojshme” të buxhetit, derisa shton se nëse do të kishte vullnet politik, përmes dorëheqjes së kryetarëve do të hapej rruga për zgjedhje të reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Sidoqoftë, IKD e ka potencuar vazhdimisht që kjo nuk është zgjidhja dhe mënyra e duhur për të larguar katër kryetarët e komunave sepse ndërton një precedent të rrezikshëm për të shkarkuar kryetarë përkundër se të njëjtit nuk kanë kryer asnjë shkelje apo nuk është cenuar integriteti i tyre personal apo profesional, sikurse nënkupton shpenzime të panevojshme të buxhetit kur dihet që qëllimi apo kërkesa e ndërkombëtarëve është që të mbahen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Nëse do të kishte vullnet politik, atëherë kryetarët e këtyre komunave do të dorëhiqeshin dhe për t’i dhënë hapësirë zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Miftaraj.

Mirëpo, ai shprehet se udhëzimi administrativ nuk e plotëson kornizën ligjore duke thënë se në bazë të një analize paraprake IKD vlerëson që udhëzimi nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën.

“Në të vërtetë ky udhëzim administrativ nuk është që e plotëson kornizën ligjore, po flasim për një udhëzim administrativ që është publikuar sot dhe në bazë të një analize paraprake të IKD’së, ky udhëzim administrativ nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën. Sidoqoftë, në ditët në vijim, IKD do të dalë me një qëndrim dhe analizë lidhur me këtë udhëzim”, tha ai.

KDI: Udhëzimi administrativ, i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave.

Ndërsa detaje për udhëzimin administrativ kanë dhënë nga KDI disa ditë para publikimit nga ministri Krasniqi. Ata kanë thënë se pavarësisht rëndësisë së këtij udhëzimi, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes.

“Madje, MAPL-ja ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune.”

KDI ka thënë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.

“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi.”

KDI ka ritheksuar se udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave.

“Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kësisoj, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.”

Kryetarët nga radhët e PDK’së kundër rrëzimit përmes peticionit

Përderisa për Kurtin, Osmanin dhe Konjufcën, mënyra “më demokratike” është përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve në listën votuese, për kryetarët nga radhët e PDK’së që drejtojnë dy komunat veriore hap më i mirë është dorëheqja vullnetare përmes një marrëveshje politike me Kurtin.

Ditë më parë, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se hap më i mirë është dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike mes Qeverisë dhe PDK’së.

“Mirëpo, në pyetje se a më mirë është shkarkimi apo dorëheqja vullnetare?. Unë kam deklaruar se më mirë do të ishtë dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike, Qeveri-Partia Demokratike”, tha Zeqiri, duke shtuar se shkarkimi nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk është zgjidhje adekuate.

Ndërsa i pari i Zveçanit, Ilir Peci, ka deklaruar se mënyra e peticionit nuk i pëlqen, duke shtuar se ekziston mundësia e marrëveshjes me kryeministrin “për të mirën e qytetarëve”.

“Kjo mënyra e peticionit mua nuk është aspak duke më pëlqyer, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë ty, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit, gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi”, ka thënë ai në një intervistë për KP.

Pro dorëheqjeve ishin deklaruar edhe nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si mënyrën më të shpejtë, mirëpo Kurti disa herë kishte thënë që nuk mund ta kërkojë dorëheqjen e tyre. /GazetaExpress