A kishte luftë çlirimtare në Kosovë?!

E publikuar: 02/04/2015 12:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sabri Maxhuni (Novosella)
Më 20 mars të këtij viti, në orët e mbrëmjes në RTK, u zhvillua një intervistë me Hajredin Kuçin. Gjatë intervistës Hajredin Kuçi disa herë e përdori thënien: Para luftës. Edhe pse kjo thënie ishte gjysma e së vërtetës, prapë mu duk jo fort keq, edhe se nuk u tha “para çlirimit”, por “para luftës”.
Ndërsa okupatorët serbë nuk e pranuan as si luftë, por vetëm si një lloj “konflikti ndëretnik”, të njëjtin vlerësim të okupatorëve serbë e pranuan edhe disa udhëheqës të Kosovës, siç ishte rasti me ish-ministrin e FSK-së, Agim Çeku, i cili pranoi se, vërtet ky ishte konflikt ndëretnik!
Si rrjedhojë e fjalorit të udhëheqësve të Kosovës, të politikanëve të Kosovës, të historianëve të Kosovës, është edhe gjuha e mjeteve të informimit e që është shprehur posaçërisht te qytetarët e zakonshëm, që rrallëherë mund ta dëgjosh shprehjen: Gjatë okupimit jugosllav të Kosovës apo pas çlirimit nga pushtimi jugosllav, serbo-sllav apo serb të Kosovës.
Pra, nuk dëgjohen thëniet:
Para Luftës Çlirimtare të Kosovës (LÇK);
Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës (LÇK);
Pas Luftës Çlirimtare të Kosovës (LÇK).
Në shikim të parë kjo duket si diçka e parëndësishme, si diçka e zakonshme!
Mos vallë këto ndodhin rastësisht?!
T’i kthehemi një lufte që ndodhi në të kaluarën. Është lufta që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore e që u zhvillua edhe në territoret shqiptare në Ballkan. Edhe ajo luftë nuk u quajt “Lufta Çlirimtare Shqiptare”.
Në territoret e Shqipërisë Londineze, u quajt “Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë – LNÇSH.
Pse vallë nuk u quajt Lufta Çlirimtare Shqiptare?!!!
Kjo nuk ndodhi rastësisht, duhej që gjithsesi të mohohej Lufta Çlirimtare Shqiptare  kundër pushtuesve nazifashist, ngase duhej të pranohej si një luftë e trilluar “Nacional Çlirimtare e Shqipërisë”, e organizuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Pra, duhej pranuar si e tillë, jo si Luftë Nacional Çlirimtare Shqiptare, por si Luftë Nacional Çlirimtare e Shqipërisë!
Po të thuhej Lufta Nacional Çlirimtare shqiptare e organizuar nga Partia Komuniste shqiptare, binte ndesh me kërkesat e përfaqësuesit të pansllavizmit Milladin Popoviqit që vendoste çdo gjë, për çka e kishin dërguar, eprorët e tij, serbo-sllavët, për ta formuar një grup shqipfolës, për t’u shërbyer në veprimet e tyre antishqiptare, me qëllim të fundit, për ta shkatërruar popullin shqiptar.
Ta cekim vetëm një rast:
Kur paria shqiptare u tubua në Kuvendin e Mukjes, duke marrë vendime për bashkimin e të gjitha forcave të organizuara shqiptare, që të luftonin kundër nazifashizmit, në aleancë të ngushtë me aleatët anglo-amerikanë, për një shtet shqiptar, për Shqipërinë etnike, menjëherë pas këtij Kuvendi, atëherë kur i ra në dorë Programi i Kuvendit të Mukjes Enver Hoxhës, duke ia dhënë në dorë të njëjtin program eprorit të vet, Milladin Popoviqit, ky me arrogancën e eprorit ndaj shërbëtorit të vet, e shqeu Programin e Kuvendit të Mukjes dhe ia dha për surrati Enver Hoxhës duke e urdhëruar: Me reaksionarët nuk ka marrëveshje, reaksionarëve vetëm sëpatë në kokë.
Dhe, natyrisht se, duke u zbatuar urdhrat e përfaqësuesit të pansllavizmit Milladin Popoviq, më Luftë Çlirimtare nuk pati!
U ndez Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë(LNÇSH). Gjatë kësaj lufte u vranë 28.000 shqiptarë. Se sa ishte kjo luftë kundër nazifashizmit më së miri na e argumenton Spartak Ngjela, biri i Kiqo Ngjelës, njërit nga ata që merrte urdhra nga Milladin Popoviqi si dhe Enver Hoxha etj.
Tani, Spartak Ngjela thotë se në betejën më të “famshme” kundër nazifashizmit u vranë 4 (katër) gjermanë ! Pra, kjo ishte Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë, e organizuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë! Edhe për këtë periudhë u përdorën thënjet: Gjatë okupimit nazifashist, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare (LNÇ), pas Luftës Nacional Çlirimtare (LNÇ).
E njëjta gjë ndodhi edhe në territoret shqiptare që u riokupuan nga Jugosllavia, me ndihmën e brigadave të LNÇSH dhe me angazhimin direkt të bashkëpunëtorëve serbo-sllav nën udhëheqjen e kryekriminelit Fadil Hoxha.
Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës e quajtën bashkëpunëtore të okupatorit!
Kurse riokupimi i Kosovës dhe territoreve shqiptare  nga Serbo-sllavia u quajt: “Çlirimi i Kosovës”!
Operimet e formacioneve ushtarake që e riokupuan Kosovën dhe territoret tjera shqiptare, u quajtën  Lufta Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë – LNÇJ.
Këtë thënie e përdorën edhe shqiptarët (bashkëpunëtorët e okupatorëve serbo-sllav) duke sqaruar se kjo apo ajo ngjarje ka të bëjë me periudhën: Para LNÇJ-së apo gjatë LNÇJ-së ose pas LNÇJ-së.
Të dalim te bërthama e kësaj teme që u shtrua për shqyrtim: A u çlirua Kosova?! A ishte lufta e UÇK-së Luftë Çlirimtare e Kosovës?! Apo pse nuk thuhet asnjëherë gjatë okupimit jugosllav të Kosovës. Pse nuk thuhet ta zëmë: Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, respektivisht pas çlirimit të Kosovës?! Mos vallë këto po
ndodhin rastësisht ?!
Jo, kurrsesi !!!
Nuk thuhet kësisoj pasi që nuk u lejua të ketë Luftë Çlirimtare të Kosovës (LÇK) edhe pse u bë çmos që të njihet, ngjashëm si në kohën e Luftës së Dytë Botërore vetëm; Ushtria  Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe vërtetë të thuhej;
Para UÇK-së?!!!
Gjatë UÇK-së?!!!
Pas UÇK-së?!!!
Por jo, ndodhi e kundërta e asaj për çka luftojë UÇK-ja. Menjëherë pas çlirimit të  Kosovës nga pushtuesit serbo-sllav, nuk u ngritën në piedestal heronjtë e Mbrojtjes Kombëtare siç ishin Shaban Polluzha, Gjon Sereqi, Mulla Idriz Gjilani, Marie Shllaku etj., por me një perfiditet të paparë, në piedestal u ngritë Fadil Hoxha, kryekrimineli, komandanti i shtabit të Ushtrisë Jugosllave për Kosovë e Metohi, gjenerali i asaj ushtrie okupuese jugosllave, të cilin okupatorët jugosllav e shpallen hero të Jugosllavisë që më në fund u varrosë me nderime ushtarake nga ushtarët e UÇK-së!
Pas të gjitha kurtheve që u bënë, sot nuk thuhet me vendosmëri se Kosova ishte e okupuar nga serbo-sllavët dhe se Kosova u çlirua nga luftëtarët e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ngase këtë luftë e mbështeti një popull i tërë, pra Luftën Çlirimtare të Kosovës, që për aleat e pati Aleancën më të fortë ushtarake në botë siç ishte NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, na mungon thënia apo më mirë vlerësimi i drejtë i atyre periudhave nga historianët e intelektualët, politikanët edhe nga qytetarët siç është ta zëmë:
– Gjatë okupimit të Kosovës;
– Para Çlirimit të Kosovës;
– Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës;
– Pas Çlirimit të Kosovës!