Me çdo kusht, në çdo mënyrë dhe pa zgjedhur formë as mjete PDK po synon të vazhdojë së qëndruari në pushtet, pavarësisht një dekade qeverisjeje të karakterizuar me plot skandale. Një qeverisje që krijoi rrjet nepotist e klientelist, që kapi shtetin në institucionet vitale.
Ishte i turpshëm qëndrimi i përfaqësuesve të koalicionit PAN në mbledhjen e javës së kaluar, teksa ende kërkonin kohë për t’i siguruar votat për zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar Kuvendi. Kërkonin kohë ata që e kishin propozuar vetë datën e vazhdimit të seancës konstitutive. Ata që thoshin se institucionet do t’i krijonin në afat rekord, por që duket se planet iu dështuan. Nuk i patën të mjaftueshëm dy muaj, por kërkojnë edhe dy javë.
Por, si mund të sigurohet të paktën edhe një votë shumë e nevojshme për të zgjedhur Kadri Veselin kryetar e Ramush Haradinajn kryeministër? Natyrisht jo ndryshe, veç me joshje, shantazhe e kërcënime.
Partitë politike rivale ia kanë bërë “bllok” PAN’it shkaku i PDK’së. Kjo ka bërë që gjërat të komplikohen edhe më shumë. Në këtë situatë PAN po e mban peng krijimin e institucioneve me logjikën “ose ne, ose askush tjetër”.
Kjo nënkupton se qytetarët dhe vendi po vuajnë shkaku i apetiteve të sëmura për pushtet të njerëzve të PAN’it që nuk i kanë votat e mjaftueshme për të ardhur në pushtet dhe, në anën tjetër, bllokojnë gjithçka pa iu dhënë mundësi të tjerëve që të provojnë. Krejt kjo falë edhe një vendimi politik dhe të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që ishte marrë atëherë ekskluzivisht për interesa të PDK’së.
Lideri i PDK’së deklaroi javën e kaluar në Kuvend se shteti i Kosovës “është shumë i shenjtë” dhe nuk do ta lëshojnë aq lehtë që të manipulohet me të. Dukshëm i nervozuar dhe pa mundur të kontrollojë veten, Veseli madje tha se Vetëvendosja do ta kthente Serbinë në Kosovë.
Edhe gjatë fushatës parazgjedhore, Veseli e kishte përmendur disa herë mundësinë e kthimit të Serbisë, po që se nuk votohej koalicioni PAN. Këto fjalë po i thoshte njeriu i cili, bashkë me LDK’në, qeveris ende me Beogradin në Kosovë, nëpërmjet Listës Serbe.
* * *
Diskursi i Kadri Veselit dhe të tjerëve si ai tregon se si e shohin ata shtetin dhe sa vështirë e kanë që t’ia “lënë në dorë” dikujt tjetër. Dhe kanë të drejtë, ngase shtetin të tillët e shohin si pronë private me të cilën mund të bëjnë çfarë të duan. Të paktën kështu janë treguar gjatë gjithë viteve në pushtet.
Sot militantë të PDK’së zënë vendet kyçe në institucionet e shtetit. Sot PDK vendos për gjithçka, vendos për jetën dhe të ardhmen e secilit prej nesh. Përgjimet e “Dosjes së Shefave” tregojnë më së miri se si e konsideron shtetin kjo parti, se si vendos edhe për njerëz që do të duhej në mënyrë të pavarur të drejtojnë institucione të rëndësishme, se si në fakt kontrollon gjithçka dhe çelësi partiak, e jo ai profesional është kryesori për të zënë një vend pune.
Zyrtarë të PDK’së janë pasuruar e kanë përfituar aq shumë, sa e kanë të vështirë të paramendojnë veten pa pushtet. Pasurinë e krijuar e mbrojnë nëpërmjet njerëzve dhe institucioneve të drejtësisë që vetë i kontrollojnë. Andaj kanë interes vital që të vazhdojnë të jenë në pushtet. Pa pushtet, njerëzit e PDK’së janë asgjë. Pa pushtet, atyre iu rrezikohet e ardhmja e vet dhe e familjarëve të vet. Por, me vazhdimin e qëndrimit të PDK’së në pushtet, e ardhmja e qytetarëve të vendit është e zymtë dhe e pasigurt.
* * *
Secili njeri normal mund të pyesë: pse qenka në interesin e Kosovës që PDK të vazhdojë së qëndruari në pushtet, e jo ardhja në pushtet e ndonjë subjekti tjetër politik? Çka paska PDK’ja që nuk e kanë partitë tjera? A mund të funksionojë Kosova pa PDK’në, apo një gjë e tillë është e pamundur dhe nuk mund të paramendohet? Si do të ishte Kosova pa PDK’në në pushtet? A do të mundeshin njerëzit të jetonin, të ushqeheshin? A do të kishte jetë pa PDK’në?
Pyetjet mund të tingëllojnë banale, por sigurisht jo aq banale sa arsyetimet që japin zyrtarët e PDK’së pse ata duhet të vazhdojnë të qeverisin. Duke dëgjuar arsyetimet e tyre krijohet përshtypja se pa PDK’në, shteti i Kosovës nuk mund të ekzistojë. Pa PDK’në, kosovarët nuk mund të marrin frymë. Por, e vërteta është ndryshe.
Qytetarët e Kosovës mund të jetojnë pa PDK’në në pushtet, por PDK e ka vështirë të jetojë pa pushtet. Pa PDK’në në qeverisje gjasat janë më të mëdha që vendi të çlirohet nga kapja, korrupsioni, nga rrjeti i nepotizmit e klientelizmi.