Petrit Gashi
Definitivisht pas kësaj krize të stërzgjatur politike medoemos duhet të krijohet një qeveri teknike me një Kryeministër që nuk i përket asnjërës nga partitë politike, dhe që njeh shumë mirë zhvillimet ndërkombëtare dhe proceset Integruese. Sipas mendimit tim Kjo qeveri duhet të jetë e gatshme të merr përgjegjësi deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, ndërkohe që do t’i ndihmonte vendit të reformohet në tri rrafshe kryesore:
1. E para, partitë politike do të kishin mjaftueshëm kohë që të reformohen dhe të analizojnë gabimet e tyre të vazhdueshme 16 vite me radhe duke e futur vendin në krizë;
2. E dyta, Kryeministri dhe Qeveria teknike do të ishin të pa ndikuar politikisht që në këtë kohë mjaftueshëm të luftojnë krimin dhe korrupsionin dhe
3. E treta, do ti tregonim Bashkësisë ndërkombëtare se nuk janë të vetmit këta lider që si figura shahu që 16 vite ndërrohen pa ja sjellë një “Hajr” Kosovës, por kemi edhe të tillë që do e drejtojnë vendin në binaret e saj.
Kjo do ti ndihmonte vendit që të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga tradita e militanteve partiak të bërë ministra dhe që përdorim vlerat kombëtare apo të personaliteteve me rendësi për ta fituar votën, por do të kalonim në një garniturë qeveritare profesioniste në dikasteret përkatëse. Pas kësaj mendoj se qytetarët do ta kuptojnë se nuk janë vetëm një apo dy njerëz në Kosovë qe duhet të Qeverisin po ka mjafte personalitete qe do ta lehtësonin jetën e Qytetareve. Që 16 vite radhazi jemi duke dështuar ne politiken e jashtme dhe proceset integruese të Kosovës, dhe kjo për fajin e një diplomacie të dobët dhe të papërgjegjshme. Madje edhe Raporti i Progresit ka cilësuar se Kosova tek tani është në hapat e parë integrues, andaj për të mos dështuar edhe me tej, duhej zgjedhur një Personalitet që vërtet njeh Procesin e Integrimeve Evropiane dhe Zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në mënyre që të evitohen edhe me tej dështimet, në të kundërtën do hymë edhe me thellë në një krizë politike.
Sot, pas një të keqe të madhe të kontaminuar gjatë gjithë këtyre viteve, kemi renë në një pozitë që personalitetet që udhëheqin vendin me shume janë të interesuara të izolojnë skandalet e tyre korruptive, kriminale e anti-kombëtare qe janë gati për të shpërthyer, se sa për forcimin e shtetësisë së vendit. E gjithë e keqja e madhe që dërgoj tek kjo krize tregon se sa skandaloze është politika kosovare në raport me botën, dhe tani me shumë se kurrë i nevojitet një reformim i thellë diplomatik, politik e shoqëror.
Ka ardhur koha për të shfrytëzuar resurset akademike dhe profesionale në Kosovë, dhe kjo do ti ndihmonte partive politike që të jenë stabile në të ardhmen, dhe të vlerësojnë nivelin profesional të figurave të tyre dhe jo militantizmin. Koncepti i “Shefave të Shefave” ka kaluar, andaj ti kthehemi barabarësisë para ligjit dhe respektimit të konceptit “Shtet”.
Petrit Gashi – Studiues i Çështjeve Evropiane dhe Politikave të BE-së