Qeveria në detyrë po vazhdon të heshtë për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, mekanizëm ky i iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila udhëheq me ekzekutivin në detyrë, mohojnë se heshtja nënkupton mospërkrahje, ndërsa partitë e ish-opozitës shprehen të gatshme për ratifikimin e marrëveshjes sapo të konstituohet Kuvendi, raporton KosovaPress.
Disa ditë pasi presidentja, Vjosa Osmani, mori pjesë në themelimin e këtij mekanizmi ndërkombëtar, në LVV, parti që kanë fituar zgjedhjet e fundit parlamentare, thonë se ende nuk janë mbledhur për të diskutuar për këtë temë. Ndërkohë, në PDK, LDK dhe AAK deklarojnë se anëtarësimi në Bordin e Paqes kontribuon në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në anën tjetër, nga analistë politikë, heshtja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, po konsiderohet më shumë si taktizim politik sesa kundërshtim i tij.
Qeveria në detyrë që disa ditë nuk është përgjigjur në pyetjet e KosovaPress në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Ndërkaq, të heshtur kanë qëndruar edhe në Zyrën e Presidencës, të cilët nuk treguan nëse do t’i ftojnë partitë parlamentare për të diskutuar për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar.
Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Mefail Bajqinovci, thotë për KosovaPress se ende nuk kanë diskutuar në parti për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Ai shton se edhe mosdeklarimi publik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për këtë çështje nuk do të thotë asgjë.
“Nuk kemi pasur ende takim si Lëvizje Vetëvendosje, andaj çka të jap përgjigje deri tash. Ne jemi partner strategjik të SHBA-së… Nuk do të thotë heshtja asgjë. Unë e thashë që ne ende nuk kemi pasur takim, pasi po presim certifikimin e rezultateve”, thotë ai.
Nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se çdo marrëveshje me karakter ndërkombëtar duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe të miratohet në Kuvend.
Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Ariana Musliu, vlerëson se anëtarësimi në Bordin e Paqes, në parim, mund të kontribuojë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por thekson se qëndrimi përfundimtar i PDK-së do të merret pas analizimit të obligimeve dhe interesit afatgjatë të qytetarëve.
“Anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një hap që, në parim, duhet parë në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit dhe rritjes së rolit të Kosovës në proceset globale të paqes dhe sigurisë. Megjithatë, çdo anëtarësim që ka karakter të marrëveshjes ndërkombëtare duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën, përfshirë edhe miratimin në Kuvendin e Kosovës. Si PDK, ne do ta shqyrtojmë këtë çështje në mënyrë të përgjegjshme, duke analizuar përmbajtjen, obligimet që burojnë për shtetin e Kosovës dhe interesin afatgjatë të qytetarëve. Qëndrimi përfundimtar lidhur me mbështetjen do të merret në organet vendimmarrëse të partisë, pas një diskutimi të brendshëm. Kosova ka nevojë për vendime që e forcojnë shtetin, jo për hapa të nxituar apo vendime të njëanshme pa konsensus dhe pa qartësi të plotë”, thotë ajo përmes një përgjigjeje me shkrim për KosovaPress.
Ndryshe nga PDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës është më e qartë në mbështetjen e kësaj nisme. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, deklaron për KosovaPress se Kosova duhet të pozicionohet në rrethanat e reja gjeopolitike dhe se rreshtimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht i ka sjellë përfitime vendit.
“Ne kemi përkrahur duke besuar që këto rrethana të reja gjeopolitike kërkojnë pozicionim dhe nuk mundesh me qëndru anash. Ne sa herë jemi rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi pasur përfitime nga kjo dhe kemi qëndruar në anën e drejtë të historisë”, thekson ai.
Mbështetje të plotë ka dhënë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, e cilëson anëtarësimin si një vlerësim nga SHBA-të dhe një rreshtim të drejtë të Kosovës në funksion të ndërtimit të paqes globale, duke theksuar se partia e tij do ta përkrahë gjithmonë një orientim të tillë.
“Është një vlerësim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është një rreshtim i drejtë i Republikës së Kosovës që të ndikojë në ndërtim dhe paqe në mbarë botën. Prandaj ne, si Aleancë në krye me Ramush Haradinajn, e kemi përkrahur dhe do ta përkrahim çdo herë rreshtimin e drejtë të Kosovës për interesa të qytetarëve dhe të vendit”, thekson Lekaj.
Në anën tjetër, analisti politik, Adrian Zeqiri, vlerëson se rezervat e Kurtit lidhen më shumë me kalkulime elektorale sesa me kundërshtim real ndaj nismës, duke pasur parasysh edhe kritikat që Bordi i Paqes ka nga bota arabe lidhur me efektivitetin e tij në konfliktin izraelito-palestinez.
Sipas Zeqirit, anëtarësimi i Kosovës në këtë bord pritet të kalojë në Kuvend dhe nuk paraqet rrezik për vendin, përkundrazi shihet si një hap pozitiv për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Ne jemi pa që zoti Kurti është rezervuar për sa i përket deklaratave që kanë të bëjnë për Lindjen e Mesme. Kjo jo për ndonjë pozicionim strategjik të Kosovës, sa për një pozicionim karshi votuesit të Kosovës, karshi elektoratit të vet. Kështu që nuk ka dashur të marrë një pozicionim të qartë për këtë çështje, duke marrë parasysh se Bordi i Paqes ka kritikat e veta prej botës arabe se sa do të jetë efektiv dhe a do ta ndalë në realitet luftën në Palestinë apo jo. Besoj se do të kalojë. Ajo heshtja më shumë është taktike dhe elektorale sesa një kundërshti e qeverisë ose e zotëri Kurtit ndaj kësaj iniciative. Kosova s’ka çka humb prej anëtarësimit në këtë bord, përkundrazi është hap i mirë për Kosovën”, thekson ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi të enjten, më 22 janar, në Davos të Zvicrës, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese. Në këtë iniciativë multilaterale janë përfshirë shtete nga rajone të ndryshme të botës, mes tyre edhe shtatë vende mosnjohëse të Kosovës, si Argjentina, Azerbajxhani, Indonezia, Pakistani, Mongolia dhe Uzbekistani.

















