A është virtyt patriotizmi?

E publikuar: 09/06/2025 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Blerim Latifi

Muajin e shkuar në SHBA vdiq Alasdair MacIntyre, i cilësuar shpesh si filozofi më i rëndësishëm i moralit pas Immanuel Kantit. Vepra e tij “After Virtue” sot ka statusin e një vepre klasike në fushën e Etikës.

Në polemikë me filozofinë morale të Kantit dhe Utilitarizmin anglez, MacIntyre na rizbulon etikën e virtytit të Aristotelit, si mënyra më e mirë për të kuptuar njeriun si qenie morale.

Për MacIntyre individi moral, i shkëputur nga bashkësia e tij etiko-kulturore, është një trillim i individualizmit modern.

Kanti kishte shkruar se pyetja themelore e Etikës është “Çfarë mund të bëj?”

MacIntyre thotë se në këtë pyetje mund të përgjigjemi vetëm nëse më parë përgjigjemi në pyetjen se në cilat histori bëjmë pjesë.

Ne jemi qenie narrative. Kjo do të thotë se identitetet tona janë të formësuara nga narrativat dhe historitë e bashkësive tona. Kjo përfshin natyrshëm edhe mënyrat tona të të menduarit.

MacIntyre e koncepton filozofinë politike si pjesë të Etikës dhe në shkrimet e tij nga kjo fushë shkëlqen eseja e tij “A është virtyt patriotizmi?”. Kjo ese sot është referencë themelore në trajtesat mbi patriotizmin që bëhen në shkencat sociale.

MacIntyre konsideron se kritika liberale e patriotizmit është e paqendrueshme, sepse ajo mbështetet mbi një koncept të gabuar: njeriun e kuptuar si subjekt abstrakt, të pavarur nga lidhjet e tij komunitare. Ky njeri, i njohur si individi kozmopolit, është vetëm një mit. Njerëzit janë të qenie të rrënjosura në historitë konkrete të bashkësive dhe vendeve të tyre. Ata nuk mund të jenë subjekte morale jashtë këtyre lidhjeve. S’ka virtyte e vese humane kozmopolite.

Patriotizmi nuk është thjesht dashuri për vendin tënd, por edhe të kuptuarit se jeta jote morale është e ndërtuar nga ai vend dhe historia e tij.

MacIntyre konsideron se përmasa etike e patriotizmit mund të ruhet vetëm në trajtën e patriotizmit kritik. Patrioti kritik është ai që e do vendin e tij për virtytet që ka, angazhohet në to dhe nuk qëndron indiferent apo i verbërt ndaj gabimeve dhe të këqijave të tij.