Shkruan: Shenoll Muharremi
Një këndvështrim historik nga Albert Calmes viti 1922 kur shqiptarët kishin dalur nga pesë shekuj robërim dhe po përballeshin me ambicje të shfernuara territorale nga fqinjët e tyre. Sapo i kishte njohur SHBA si shtet dhe kishin 548 shkolla fillore (474 vetëm një klasë), gjithsej 854 mësues dhe rreth 24,000 nxënës:
“Vëzhguesit e huaj që kanë kaluar disa vite në Shqipëri bien dakord se rinia shqiptare tregon aftësi të jashtëzakonshme intelektuale dhe një kapacitet të madh për përvetësim. Shqiptarët mësojnë gjuhë të huaja me një shpejtësi të habitshme. Nxënësit shfaqin një entuziazëm të pashtershëm dhe janë të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të mësuar.
..është e qartë që shqiptari është i etur të nisë rrugën e përparimit. Por mund të shtrohet pyetja: nëse ai ka aftësinë për t’iu përgjigjur nevojave materiale dhe intelektuale më të zhvilluara, a do të tregojë ai vendosmërinë e nevojshme për t’i përmbushur ato, a është ai mjaftueshëm punëtor?
Në përgjithësi, shqiptarit i është bërë një emër si dembel; thuhet se është ushtar i mirë, por punëtor i dobët. Ky opinion i përket së kaluarës. Sundimi shtypës, të cilit shqiptari iu nënshtrua për shekuj me radhë, ngjalli tek ai dashurinë për lirinë si vlerën më të madhe; nevoja për t’u mbrojtur me armë e ka bërë shpesh të pamundur punën e vazhdueshme.
Një shkak tjetër mund të jetë edhe demoralizimi i shkaktuar nga regjimet e ndryshme që i janë imponuar Shqipërisë dhe nga ndikimet e shteteve të huaja, të cilat, në grindjet për ta zotëruar vendin, mbajtën një mori parazitësh politikë.
Por a do të vazhdojë kjo gjendje? Nuk mendoj se po, dhe kjo bindje më forcohet nga fakti që, si rezultat i çarmatimit të përgjithshëm, malësorët kanë filluar kohët e fundit, për herë të parë, të kërkojnë punë në fusha. Të privuar nga pushka, shqiptarët po marrin në dorë veglat e punës.
…
Me ndryshimin e rrethanave dhe nën nxitjen e nevojave të reja, shqiptari kursimtar dhe inteligjent do të bëhet një punëtor i shkëlqyer. Ky zhvillim mund të ndodhë shumë shpejt, siç e dëshmon shembulli i fellahut egjiptian, i cili, më pak se një brez më parë, ishte një fatalist dembel, por është shndërruar në një prodhues të klasit të parë, falë shtypjes së abuzimeve administrative dhe ligjore, mbledhjes së taksave në para të gatshme në vend të natyrës dhe punës së detyruar, si dhe përmirësimit të kushteve të jetesës që u mundësuan nga veprat madhore publike.

















