Qeveria e Kosovës sonte ka nxjerrë një vendim përmes të cilit ndalon lëvizjen dhe tubimet e qytetarëve shkaku i rrezikut nga coronavirusit. Por, është pika IV e këtij vendimi e cila duket se është menduar që të ndalojë edhe seancën për mocionin e mosbesimit qeverisë Kurti.
Në pikën IV të këtij vendimi thuhet se ndalohet tubimi në të gjitha mjediset, si private e edhe publike, si në ambiente të hapura e edhe të mbyllura
“Pika IV e vendimit të Qeverisë ndalon tubimet në të gjitha mjediset – private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura”, thuhet në pikën IV të vendimit të Qeverisë, të cilin e kontestoi presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se atë do ta dërgojë në kushtetuese.
Vetëvendosje, këto ditë përmes zyrtarëve të saj ka thënë se nuk ka kushte që të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit të thirrur nga LDK.
Tani, duket se qeveria e udhëhequr nga lideri i VV’së, ka shkuar edhe një hap më tutje, duke e ndaluar edhe me vendim qeveritar, tubimin e deputetëve për ta mbajtur këtë seancë.
Në anën tjetër, zyrtarë të LDK’së që po insistojnë se seanca duhet të mbahet, përmendën mundësinë që kjo seancë të mbahet në ndonjë ambient tjetër, e jo në sallën e Kuvendit, duke e mos e përjashtuar si mundësi që ajo të mbahet edhe në ndonjë ambient të hapur.
Por, me vendimin e qeverisë Kurti, ndalohet tubimi edhe në ambiente të hapura, që rrjedhimisht, nëse mendohet që seanca të mbahet edhe në shesh, ajo ndalohet sipas vendimit të qeverisë.