Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta të biznesit që njerëzit bëjnë, sidomos në fazën kur dikush ka një ide biznesi, por i mungojnë paratë.
Prandaj po ndajmë me të gjithë, atë çfarë “Bid” mendon në lidhje me marrjen e kredisë bankare. Janë tre faktorë kryesorë:
Çfarë rrezikoni?Rrezikoni që të zhyteni në borxhe dhe të përkeqësoni jetën tuaj. Nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit, çfarë plani rezervë shpëtimi keni? Borxhin a do e merrni si individ, apo në emër të biznesit.
Gjasat janë që bankat të mos japin kredi bankare nëse kompania është e re apo nuk ka një plan të sigurt për nxjerrje të ardhurash. Prandaj shpesh njerëzit detyrohen që të marrin kredi në bankë për të investuar në idenë e tyre të biznesit, duke lënë si garanci një pronë të paluajtshme. Nëse mund të përballoni humbjen e asaj prone pa pasoja të mëdha në jetë, atëherë vazhdoni, merreni kredinë dhe luftoni për idenë tuaj. Por në asnjë mënyrë mos vendosni si garanci shtëpinë ku jetoni, apo një pronë të paluajtshme që ju siguron të ardhura muaj pas muaji.
Çfarë mundësie tjetër keni?Kredia nuk është mënyra e vetme që të siguroni financim për biznesin që doni të ngrini. Sigurisht varet nga shuma, por gjithmonë ekziston mundësia për të kursyer dhe për të investuar kursimet në biznes pa marrë kredi.
Nëse kursimet nuk mund të përballojnë investimin që keni ndërmend të bëni, atëherë shihni mundësinë që të krijoni një model të zvogëluar të biznesit që mund të filloni me më pak para. Për shembull, nëse keni ndërmend të hapni një restorant luksoz, filloni me diçka të vogël të versionit “merr me vete”, për pica apo për pasta. Nëse jeni të suksesshëm aty, të ardhurat e nxjerra mund t’i investoni në një ambjent më të madh.
Gjithashtu ekziston mundësia për gjetjen e një partneri. Nëse ju keni idenë e mirë, është dikush tjetër që ka paratë por nuk ka idenë. Bëni përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje ortakërie me një person të tillë, duke verifikuar gjithmonë besueshmërinë, ndershmërinë dhe integritetin e tij/saj.
Në çfarë faze është biznesi?Nëse nuk mund të fitosh para kur nuk ke para, çfarë të bën të mendosh që po të kesh shumë para, do të bësh më shumë para? Ky është një ndër mendimet më të gabuara të njerëzve. Aftësia për të qenë të zotë në biznes duket kur nuk ke asgjë. Nëse nuk nxjerr do gjë nga asgjëja si sipërmarrës, kur të kesh shumë para në dorë, i bie t’i humbësh edhe ato. Prandaj këshilla më e mirë që mund t’ju jap është që të mos merrni kredi për biznesin tuaj të parë, që doni ta nisni nga 0. Duhet të keni provuar veten më parë. Nëse nga ana tjetër keni një model të suksesshëm biznesi me të ardhura të kënaqshme dhe vizion të qartë, atëherë mund të merrni kredi bankare në emër të kompanisë tuaj (shpk) për të përshpejtuar rritjen e atij fidanit që keni mbjellë.