Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të qartë se partia e saj nuk ndjen asnjë detyrim politik për t’i siguruar kuorumin apo votën Vjosa Osmanit për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Lushaku-Sadriu ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Osmanit, duke e akuzuar atë për mungesë të rolit unifikues dhe anshmëri të hapur ndaj pushtetit të Albin Kurtit gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas saj, figura e presidentes nuk ka arritur të qëndrojë mbi palët, siç e kërkon Kushtetuta.
“Gjatë këtyre pesë viteve kemi parë një presidente që në shumë momente ka qenë e anshme. Presidentja duhet të jetë mbi partitë politike dhe të ketë një rol unifikues e përbashkues. Shpeshherë kemi parë vendime që kanë dhënë efekte dhe anësi politike ndaj partisë që ka qenë në pushtet”, deklaroi ajo gjatë një paraqitjeje në emisionin “Debat Plus”.
Për dallim nga viti 2021, kur LDK-ja kishte mundësuar zgjedhjen e Osmanit duke qëndruar në sallë, këtë herë qasja e partisë së Lumir Abdixhikut duket krejtësisht ndryshe.
Lushaku-Sadriu u shpreh se mbështetja nuk është e garantuar dhe se pjesëmarrja në votim do të jetë një qëndrim i pastër politik.
“Ne nuk e shohim si diçka që neve na obligon që të rrimë në sallë e as që t’i japim mbështetje. Ne si deputetë duhet ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marrë një qëndrim politik”, tha Lushaku-Sadriu.



















