Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shtatorin e vitit 2025, përmes një njoftimi të lëshuar nga Ambasada në Prishtinë, kishin njoftuar për pezullimin e Dialogut të Planifikuar Strategjik me Republikën e Kosovës, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë që e drejton kreu i LVV-së, Albin Kurti.
Ambasada amerikane kishte thënë se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Por a ka ndonjë lëvizje në Washington rreth rinisjes së bisedimeve me Kosovën për rikthimin e diskutimeve për Dialogun e Planifikuar Strategjik dhe a ka ndonjë kusht që Kosova duhet ta plotësojë për të ndodhur një gjë e tillë.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se Amerika e vlerëson partneritetin e saj të ngushtë dhe afatgjatë me popullin e Kosovës.
Zyrtari amerikan ka thënë se SHBA shpreson në thellimin e partneritetit me Kosovën, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të Strategjik.
“Ne shpresojmë ta thellojmë partneritetin tonë me Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut tonë Strategjik”, ka thënë një zyrtar i Departamentit Amerikan për Express.
Ky zyrtar i DASH në fund ka thënë se SHBA pret me padurim të punojë për të çuar përpara axhendën e përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik në Ballkanin Perëndimor./GazetaExpress

















