Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka thirrur në takim liderët e partive politike për të diskutuar lidhur me situatën rreth pandemisë COVID-19.
Megjithëse Kurti ka paralajmëruar këtë takim, disa parti politike tashmë kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë takim.
Ish-zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së. Avdullah Hoti, ka folur tryezën të thirrur nga kryeministri në detyrë, duke thënë se qeveria e tij i ka ditët e numëruara dhe se, dy herë e ka shkelur Kushtetutën.
“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy herë radhazi e shkel kushtetutën. Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa ne kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, ka thënë Hoti.
Edhe AKK ka refuzuar ftesën e Kurtit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një letër ia ka përmendur Kurtit refuzimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për arsye të luftës politike të tij.
Haradinaj ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit në shërbim të përballimit të krizës. Por sipas tij, Kurti ka ndjekur hapa të gabuar dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit në mënyrë recidive.
Ai ka thënë se nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur, ngase ftesat e Kurtit janë të vona në kohë dhe të përcjella nga një mungesë legjitimiteti institucional dhe demokratike.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka qëndrim lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për t’u mbledhur në një tryezë diskutimi lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Deputetja e kësaj partie Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për medie, ka thënë se sapo të merret ndonjë vendim lidhur me këtë takim, do t’i publikojnë qëndrimet e tyre.
“PDK është duke e diskutuar këtë çështje. Natyrisht, ne ende nuk kemi qëndrim të qartë lidhur me takimin e nesërm, por sa po të kemi qëndrim do të dalim si organ i kryesisë lidhur me këto zhvillime”, tha ajo.
Edhe Nisma Socialdemokrate ende nuk ka qëndrim lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për t’u mbledhur në një tryezë diskutimi, për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar nga virusi COVID-19.