A do të thërrasë partia e Shpend Ahmetit tryezë për ta diskutuar shkuarjen në zgjedhje

E publikuar: 29/05/2018 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike po synojnë që përmes zgjedhjeve të bëjnë zgjidhje me konsensus për tema të mëdha. Të paktën të interesuar për tryeza po tregohen vetëm partitë opozitare. Derisa pozita po i konsideron të kota dhe jo të rëndësishme debatet për shkuarje në zgjedhje. Deri më tani LDK, PDK e VV i kanë mbajtur ato, ndërkaq pritet të shihet nëse tryezë të ngjashme do të thërrasë edhe PSD-ja.
Partia Social Demokrate e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, ende nuk kanë ndonjë qëndrim nëse do të thërrasin tryezën e radhës me rotacion ashtu siç janë dakorduar fillimisht partitë që kur të parën e mbajti Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndonëse pa ndonjë rezultat, kësaj radhe pritet të shihet nëse partia që tashmë është e përbërë nga njerëz të dalë nga Vetëvendosja, do të jenë të gatshëm të mbajnë tryeza dhe të diskutojnë nëse janë për të shkuar në zgjedhje të reja ose jo.

Shkodran Hoti, zëdhënës i PSD-së, ka thënë se kjo do të kuptohet vetëm pasi të mblidhen organet e partisë së tyre.

“Shumë shpejt do të mblidhen organet e PSD-së dhe do të dalin me një qëndrim rreth kësaj çështjeje”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, në tryezën e fundit të Albin Kurtit, ku u kërkua caktimi i datës për zgjedhje të jashtëzakonshme, pozita e sfidoi opozitën duke iu kërkuar atyre që kërkesën për zgjedhje ta bëjnë në Parlament dhe jo në tryeza.

“Po folni për zgjedhje, unë po jua përsëris qëndrimin e PDK-së. Ne jemi kundër zgjedhjeve, por ne jemi gati për zgjedhje, nëse ju jeni gati. Ju sot keni thirrë tryezë për me organizu zgjedhje. Kuvendi është organ që vendos për zgjedhje, e jo tryezat”, ishte shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Njësoj ishte përgjigjur edhe Blerim Kuçi i AAK-së, i cili kërkoi nga opozita që nëse i kanë 61 vota, Qeveria të rrëzohet në Parlament dhe jo të bëjnë kërkesë nëpër tryeza.

Opozita, veçanërisht LDK-ja ka thënë vazhdimisht se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe se do të jetë çështje ditësh kur të nisë edhe mocioni për rrëzim të Qeverisë. /GazetaExpress/