A do të mund të kandidoj Albin Kurti për deputet, Kushtetuesja jep sqarim

E publikuar: 06/01/2021 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot (e mërkurë), aktgjykimin e plotë lidhur me votën e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Kushtetuesja gjithashtu ka sqaruar edhe të drejtën që kanë personat për të kandiduar në zgjedhje parlamentare.
Ndonëse ditë më parë është thënë se lideri i LVV-së, Albin Kurti nuk do të mund të kandidojë për deputet për shkak të dënimit që ka për hedhje të gazit lotsjellës, një gjë të tillë nuk e ka paraparë Gjykata Kushtetuese në këtë aktgjykim.

“Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që donë të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur””, thuhet në aktgjykim.

Më tej në këtë aktgjykim theksohet se Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare.

“Kjo meqë, sipas nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e të drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës”, thuhet mes tjerash në aktgjykimin e Kushtetueses për Qeverinë Hoti.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.