Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi do të takohet nesër me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel.
Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nuk ka treguar nëse zëvendësi i Albin Kurtit do të shkojë në Bruksel me një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai i tha Gazetës Express se “diskutimi është në nivel politik”.
“Kryeministri, siç edhe e keni parë, e ka prezantuar vizionin e tij. Diskutimi është në nivel politik e duhet parë rrugë tutje. Nuk ka diçka detaje të tjera për të ndarë momentalisht”, tha ai.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se në takimin e fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksnadar Vuçiq më 2 maj u bë një përparim në çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në atë takim u prezantua një draft i statutit të kësaj bashkësie komunash, të cilin Kosova e konsideron të papranueshëm. BE-ja thotë se ai draft është pikënisje për diksutim lidhur me këtë çështje, gjë të cilën e kanë kundërshtuar ashpër eskponentë të partisë në pushtet.
Drafti i prezantuar nga Ekipi Menaxhues i kryesuar nga një deputete e Kuvendit të Serbisë nga partia e Aleksandar Vuçiqit, për kryeministrin Albin Kurti “është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë”. Qeveria, përkatësisht ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e shkarkoi këtë ekip me t’u kthyer kryeministri në Prishtinë.
Kurti e ka prezantuar një ide të vetën, inspiruar në modelin kroat. Në takimin e fundit me Vuçiqin, ai ka propozuar një “draft-vizion” për punën e rregullimit të komunitetit serb në Kosovë.
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, tha martën se ka ardhur koha që Kosova ta propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke treguar se këto ditë në Prishtinë do të vijë i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe se “aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
“Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, shkroi Abbott në Facebook.
Më herët, Kurti kishte kërkuar që ta shkruante vet një draft-statut për Asociacionin, por ndërmjetësuesit s’e kishin lënë përpara se të propozohej draft-statuti i Ekipit Menaxhues.