Trajneri i Real Madridit Zinedine Zidane ka këmbëngulur se ai nuk do të japë dorëheqje, përkundër një performance tjetër të dobët nga skuadra e tij në një humbje 2-0 ndaj Shakhtar Donetsk.
Shpresat e Madridit për t’u kualifikuar më tutje në Champions League janë tani në dyshim pas ndeshjes në Kiev, me golat e pjesës së dytë nga zëvendësuesit Dentinho dhe Manor Solomon duke i dhënë fitoren skuadrës vendase.
Zidane po ndjen presionin pas një fillimi indiferent të sezonit, me Madridin që tani ka humbur tre nga pesë ndeshjet e tyre të fundit. Francezi, megjithatë, ka këmbëngulur se ai nuk do të tërhiqet, përcjell KosovaPress.
“Unë nuk do të jap dorëheqjen – aspak,” tha ai pas humbjes të së martës.
“Ne gjithmonë kemi pasur momente delikate. Është e vërtetë që është një varg i keq për sa i përket rezultateve, por ne duhet të vazhdojmë. Sot ishte një finale, ne u përgatitëm shumë mirë, por ne e dimë se ka një lojë për të bërë dhe ne duhet të fitojmë dhe kaq. ”
Skuadra e Zidane gjithashtu humpi në fundjavë ndaj Alavesit dhe megjithëse ai e pranoi që skuadra e tij meritonte të humbte atë lojë, ai ndjeu që Madridi nuk ishte me fat që të largohej nga ndeshja e së martës me duar të zbrazëta.
“Besoj te lojtarët dhe natyrisht që kam forcë. Ditën tjetër kundër Alavesit nuk e meritonim të fitonim. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç të punojmë dhe të vazhdojmë në mënyrë që rezultatet e mira të kthehen “, tha në fund Zinedine Zidane