Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këshilli Evropian ka njoftuar të hënën për emërimin e Peter Sorensen, si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Sorensen do të marrë detyrën më 1 shkurt, me një mandat fillestar prej 13 muajsh. Ai do ta pasojë në këtë pozitë emisarin Mirosllav Lajçak, të cilit i përfundon mandati më 31 janar.
Në njoftimin e KE’së, që është shpërndarë edhe nga Zyra e BE’së në Kosovë, thuhet se detyrat e tij përfshijnë lehtësimin e procesit të dialogut që do të kontribuojë në normalizimin gjithspërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.
“Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimnit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh“, thuhet në njoftim.
Emisari në largim, Miroslav Lajçak gjatë mandatit të tij ishte akuzuar për njëanshmëri në dialog. Kryeministri Kurti kishte thënë se Lajçak është “pozicionuar” kundër Kosovës.
Në jo pak raste, Kurti personalisht, por edhe vartësit e tij si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi apo edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë akuzuar Lajçakun si njeri që nuk është netural në dialog, por që po “punon për Serbinë”.
Vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë kishte deklaruar se Kosova pret që Komisioni i ri Evropian të nisë me një dinamikë të re sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Me emisarin e ri ka pritshmëri se ta kthejë besimin e palëve në proces dhe të çojë përpara zbatimin e marrëveshjeve.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.
Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.
Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.