A do ta ketë Kurti votën e saj për votimin e Qeverisë, Duda Balje deklarohet pas takimit

E publikuar: 03/04/2025 10:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, është deklaruar pas takimit që ka pasur sot me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, i cili është në kërkim të votave, për të siguruar edhe një mandat tjetër në krye të ekzekutivit.

E pyetur nëse do ta votojë Qeverinë Kurti 3, Balje tha se në takimin e sotëm vetëm ka paraqitur kërkesat që kanë, por se nuk ka dhënë asnjë konfirmim për këtë çështje, e as nuk ka marrë ndonjë të tillë për kërkesat e paraqitura.

“Sot na kemi pas takimin e parë edhe në fakt unë dola para kryeministrit me kërkesat që ne si boshnjakë kemi. Nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi jap asnjë konfirmim, dmth është takimi i parë tash për tash jemi në fazën e bisedimeve, kurgjë më tej”, deklaroi Balje.

Ajo foli edhe për kërkesat që shtroi te Kurti.

“Për kërkesa unë fola disa herë, është Komuna e boshnjakëve, është reforma në arsim edhe dmth tretmani i barabartë me krejt deputetët brenda Kuvendit”, tha Balje.

Kushtet e njëjta tha se janë edhe për partitë opozitare, me të cilat konfirmoi se ka pasur bisedime.

“Po, edhe kemi fol. Na jemi edhe pjesë e Kuvendit. Kemi drejt me fol me secilin, pra secila parti e shqiptarëve që ka 51 vota, edhe na si deputetë jemi këtu”, deklaroi Balje.