Ata nuk janë thjesht futbollistë, por flamuj të vërtetë. Simbole të skuadrave ku kanë luajtur dhe legjenda të historisë së futbollit. Kanë dhuruar lumenj emocionesh dhe trofe por mbi të gjitha ata e lidhën jetën me një fanellë duke qëndisur në trup stemën e klubeve që kanë dashuruar. Maldini, Maradona, Van Basten apo Gerrard janë disa nga ikonat e një futbolli që mbi të gjitha përçon vlera dhe pasion. Çdo herë që një kampion i tillë është larguar nga skuadra e zemrës, lotët janë derdhur pikërisht për lidhjen e krijuar me tifozët.
I fundit i Mohikanëve në radhën e gjatë të njerëzve që futbollin e kanë ngritur në nivelin human është Steven Gerrard. Pas 17 viteve me fanellën e Liverpool, kapiteni i “The Reds” u largua nga “Anfield Road mes lotëve. 16 Maji ishte edhe finishi i një karrirre të gjatë që nisi dhe përfundoi me numrin 8 mbi shpatulla. Një det i kuq u bashkua për disa çaste me kapitenin dhe legjendën e një skuadre, i cili ka qeshur por por edhe ka qarë me fanellën e kuqe mbi supe. Kapitulli Gerrard në Liverpool tashmë u mbyll, por shembulli i mesfushorit do të shërbejë si një far ndriçues për miliona të rinj që e dashurojnë këtë sport.
Diego Armando Maradona e pati ndoshta edhe më të vështirë pasi u lidh përjetësisht me një popull mes të cilit nuk lindi, por u rrit duke u bërë ndoshta lojtari më i madh i historisë së futbollit. Napoli nuk dëshiron që fanellën me numrin 10 ta mbajë një tjetër lojtar sepse Maradona është Zoti i një qyteti që jeton me këtë sport. Në 4 vite si napoletan, argjentinasi fitoi dy tituj, 2 Kupa, një Kupë UEFA dhe një Superkupë Italie. Ai është lojtari frymëzues i historisë më të ndritur të këtij klubi.
Çerek shekulli me të njëjtën fanellë. Ky është Paolo Maldini, një lojtar që e nderoi deri në fund ngjyrën e fanellës. Milani e ka spostuar emrin e tij në muze dhe ka vërtet një motiv të fortë për ta bërë këtë sepse Paolo Maldini do të mbetet një legjendë për këtë klub. Numri 3 është hequr nga qarkullimi sepse kapiteni i epokës së artë nuk mund të ketë binjakë.
Emri i radhës vjen nga një planet tjetër. Në epokën e futbollit modern ai mund të krahasohej shumë mirë me Messin ose Cristiano Ronaldon. Eusebio e lidhi karrierën e tij me Benfican duke i dhënë këtij klubi një dimension galaktik. “Shqiponjat” dominuan futbollin europian rreth 50 vjet më parë dhe një meritë të madhe për këtë ka edhe Eusebio, i cili luajti për 15 vjet me këtë fanellë duke shënuar 317 gola në 301 ndeshje.
Bobby Charlton. Ai është një nga golashënuesit më të mirë të historisë së Manchester United ku luajti për 17 sezone. 606 ndeshje dhe 199 gola me “Djajtë e Kuq” e përjetësuan Charltonin në librin e historisë së skuadrës angleze.
Michel Platini. Ngriti themelet e Juventusit të suksesshëm të viteve 80. Francezi magjik u bashkua me bardhezinjtë në vitin 1982 dhe kaloi 5 sezone në Torino ku mbylli edhe karrierën duke lënë një trashëgimi të vyer në muzeun e klubit.
Marco Van Basten. Ndoshta lojtari më i madh i viteve 80-90 por me fatin e keq të këmbëvë prej kristali. U operua 28 herë përpara se të ngrinte flamurin e bardhë dhe t’i jepte lamtumirën Milanit dhe futbollit. Arkitekti i sulmit të Milanit të madh të Sacchit që bëri të ëndërrojnë miliona tifozë kuqezi në mbarë botën. Van Basten do të kujtohet gjatë në “San Siro” edhe pse magjitë e tij mungojnë që prej vitit 1995.
Franz Beckenbauer. Bayerni i Mynihut fitoi simpatinë e botës së futbollit edhe falë këtij emri. Kaizeri u aktivizua për 13 vjet te skuadra ku u formua dhe arriti të fitonte zemrat e një qyteti që e mësoi më mirë këtë lojë edhe falë aftësive të tij. U largua nga Bayerni i Mynihut në vitin 1977 për të vazhduar disa eksperienca të tjera, por gjithkush e kujton si njeriun që e bëri Bayernin e Mynihut një skuadër të madhe.
Raul Gonzalez Blanco. U largua nga Reali i Madridit në vitin 2010 pas 16 viteve në majat më të larta me fanellën “merengues”. Jose Mourinho i tregoi derën por këtë nuk e bënë tifozët e Realit që e konsiderojnë një simbol të këtij klubi sepse Raul u rrit në Madrid dhe me 550 ndeshje e 228 gola ka lënë një gjurmë të thellë në memorien e klubit.