Jo më kot ai mban nofkën “Money Man” ose thënë shqip, “Njeriu i parave”. Pak kohë më parë revista prestigjoze “Forbes” e cilësoi sportistin më të ardhurat më të mëdha pasi gjatë vitit të fundit ka fituar plot 300 milionë Dollarë. Bëhet fjalë për Floyd Mayweather Jr. i cili pozon me krenari përpara pikturës që tregon gjithë madhështinë e xhepave të tij pas sukesit të arritur në përballjen e shekullit kundër Manny Pacquiaos.
Piktura që pasqyron suksesin financiar të boksierit amerikan është vendosur në muzeun Mob të Las Vegasit. Gjithsesi ky mesa duket është vetëm fillimi i një viti tjetër ku Mayweather pret të arkëtojë edhe më shumë sepse në një postim në rrjetet sociale ai shkruan: “Forbes, viti tjetër sapo ka filluar”. Një premtim që “Money Man” duhet ta mbajë pasi ai ka paralajmëruar se gjatë 2015-ës do të zhvillojë edhe përballjen e fundit të karrierës, çka do të bëjë që të ardhurat nga sfida e radhës të jenë stratosferike.
Kampioni amerikan që nuk ka regjistruar ende asnjë humbje në karrierë, arkëtoi rreth 150 milionë Dollarë vetëm nga sfida me Pacquiaon, ndërsa arriti të fitonte diçka më pak për sfidën e shtatorit 2014 kundër Marcos Maidana. Në ndryshim nga Mayëeather, gjatë vitit të fundit, Pacquiao ka arkëtuar rreth 160 milionë Dollarë, pothuajse sa gjysma e “Money Man”.