Kupa e Amerikës tashmë ka përfunduar për të dhe Neymar nuk kishte më asnjë arsye për të qëndruar në Kili.
Ylli i Selecaos u largua nga grumbullimi i Brazilit pak ditë pasi u pezullua nga Konfederata Amerikano-Jugore e e Futbollit, Conembol, me 4 ndeshje skualifikim për kartonin e kuq që mori në ndeshjen ndaj Kolumbisë dhe tani do ta ndjekë nga televizori ecurinë e ekipit. Konfederata Braziliane vendosi të mos e apelojë vendimin e marrë nga instanca më e lartë e futbollit në Amerikën e Jugut dhe në këtë mënyrë Neymarit nuk i mbeti gjë tjetër vecse t’u jepte lamtumirën shokëve të skuadrës. I intervistuar nga mediat në momentin që po largohej nga hoteli ku po qëndron Brazili në kryeqytetin e Kilit Santiago, 23-vjecari u shfaq shumë i mërzitur.
“Kupa e Amerikës ka përfunduar për mua kështu që nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar këtu. Kjo është dicka shumë e vështirë që po më vret përbrenda por të qëndroj këtu vetëm për t’u stërvitur ishte një gjë që nuk mund ta përballoja dot. Në një moment si ky nuk mund të gjej asnjë lloj kënaqësie. Fakti që nuk do të ndihmoj dot ekipin përfaqësues më trishton shumë. Tashmë nuk më mbetet gjë tjetër vecse ta përqëndroj mendjen diku tjetër dhe të shijoj pushimet me familjen time”.
Më pas Neymar theksoi se ajo që ndodhi në Kupën e Amerikës do t’i shërbejë si një mësim për të ardhmen, ndërkohë që u kërkoi edhe dicka të fundit shokëve të skuadrës.
“Pata një shpresë të vogël se vendimi mund të ndryshohej por kjo nuk ndodhi. Tani cdo gjë ka mbaruar. Për mua tani është momenti të reflektoj dhe të mësoj nga ato gabimet, të gjithë duhet ta bëjnë dicka të tillë. Cfarë mund t’u them shokëve të skuadrës? Fitoni edhe për mua”.