Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri dhe ylli i Interit, Shaqiri, bashkë me futbollistët shqiptarë që luajnë në ekipe të njohura të futbollit zviceran, talentin e Bazelit Alban Ajetin, Hadërgjonajn i Yong Boys, Fidan Haliti i Luzern-it dhe dy boksierët profesionistë, Gjergjajn e Seferin, i dhanë gjallëri turnirit futbollistik të organizuar nga ekipi i FC Dardanisë në Bazel.
Nga të gjithë këta, më i magjishmi ishte ylli i Interit, Xherdan Shaqiri. Fytyra e tij e gëzuar tregonte që ai nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin dhe miqtë që e kanë bërë ky që është sot – njërin ndër futbollistët më të adhuruar në mesin e shqiptarëve dhe zviceranëve.
Ardhja e tij në turnirin e organizuar nga ekipit i Bazelit, FC Dardania, la nën hije edhe lojën finale mes ekipit Abc dhe Papa Joe’s që u mbyll me barazim, ku pastaj përmes gjuajtjeve të penalltive fitues doli ekipi Abc.
Një pjesë e këtyre lojtarëve nga të dyja ekipet finaliste ishin shokë të fëmijërisë së Xherdan Shaqirit. Dhe si shoku për shokun, ai, bashkë me Vokrrin, në fund ndau çmimet për ta; kupa e FC Dardanisë kaloi përmes duarve të tij në duart e ekipit fitues, Abc.
Dhe jo vetëm kaq, në këtë turnir me pjesëmarrjen e 38 ekipeve, atletet e veta kishte mbathur për relaksim edhe ish-futbollisti i parë shqiptar i përfaqësueses zvicerane, Milam Rama. Një futbollist që me modestinë e tij ka fituar respektin e shumë futbolldashësve.
Prezencën e tij në këtë turnir ai e konsideron si një gjest respekti që ka për numrin e madh të ekipeve dhe shikuesve që përcjellin organizimet e FC Dardanisë.
„Sot jemi këtu me një ekip familjar për ta kaluar kohën e lirë bashkë, pas gjithë atyre angazhimeve që kemi si familjarë. Këtu në ambiente të gjelbërta unë e ndiej vetën shumë mirë dhe ndaj kënaqësi me të gjithë lojtarët dhe këtë publik të dashur të Dardanisë“, u shpreh për albinfo.ch futbollisti Rama, i cili në skuadër kishte dhe vajzën e tij, Alketën, 11 vjeçe, e cila ka ndjekur rrugën e babait dhe sot luan në përzgjedhjen U13 të ekipit FC Aargau afv.
Vetë kreu u Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e konsideroi këtë garë futbollistike si një ngjarje të madhe të diasporës shqiptare që po kontribuon në afirmimin e futbolllistëve tanë. Prandaj, thotë ai, unë kam një obligim moral edhe si kryetar i Federatës, por edhe si person që është mjaft gjatë në futboll.
„Ky turnir tregon se bashkëpunimi ynë me klubet e ndryshme të diasporës është në nivelin më të duhur“, shprehet Vokrri për albinfo.ch
Kreu i FFK-së, Vokrri, prezencën e tij e sheh si qasje aktive e ndërtimit të urave të bashkëpuniumit mes Federatës dhe klubeve shqiptare të diasporës.
„Vetë prezenca jonë këtu dhe organizimi i disa kampeve me lojtarë të rinj që i kemi organizuar pikërisht në Zvicër tregon që këtu ka potencial dhe ne duhet t’i përcjellim për së afërmi këto ngjarje“.
„Ky organizim është për çdo respekt, kur shohim një numër kaq të madh që kanë defiluar sot këtu”.
„Është një kënaqësi e vërtetë jo vetëm për diasporën tonë, por edhe për ne si popull dhe si shtet i ri që në këtë mënyrë arrijmë të bëhemi bashkë dhe të organizojmë turnire të këtilla“, u shpreh në fund të bisedës kreu i FFK-së, Vokrri.