Shkëlzen Maliqi: Ramush Haradinaj e ka humbur rrugën në oborr

E publikuar: 22/06/2015 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Labinot Balaj

Intelektuali Shkelzën Maliqi, ka dekalurar se  Gjykata Speciale është një detyrim që i është imponuar Kosovës  dhe  se jemi vonuar me miratimin e saj. Në një intervistë dhënë për Gazetën Blic ai ka thënë se nëse nuk e bëjmë ne Specialen, atë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Dua t’ju kujtoj se në legjislaturën e mëhershme të Kuvendit ka ekzistuar një disponim mazhoritar pro themelimit të kësaj Gjykate, ku edhe një pjesë e opozitës së sotme që thotë deklarohet se do të votojë  kundër, atëbotë pajtohej me themelimin e saj” , ka shtuar Maliqi.

Maliqi ka folur edhe për arrestimin e Ramush Haradinajt nga policia sllovene dhe për reagimet ndaj shtetit slloven. Ai ka thënë se reagimet kanë qenë shumë të ashpra.

Maliqi, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn, e ka kualifikuar si politikan që ka humbur rrugën në oborr.

“Mendoj se nuk ka pas vend për reagime aq të ashpra, me spekulime dhe kërcënime që synonin konfrontim dhe ndërprerje të marrëdhënieve me Slloveninë. Po më duket se Haradinaj, pas që dështoi që sërish të bëhet kryeministër,  e ka humbur disi torruan e politikanit të arsyeshëm duke e shprehur, jo vetëm në këtë rast, një nervozizëm të të dëshpëruarit ose të dikujt “që e ka humbur rrugën në oborr”, thotë Maliqi për Gazetën Blic.

Në këtë intervistë Maliqi flet edhe për ashpërsimin e komunikimit ndërmjet pozitës e opozitës, për punën e deritanishme të qeverisë, për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve…

Gazeta Blic:  Z. Maliqi, kohët e fundit në Kosovë diskursin publik e ka dominuar çështja e Gjykatës Speciale. Përballë kësaj çështje ekzistojnë antagonizma, në njërën anë kemi partitë në pushtet që janë pro dhe afirmojnë miratimin në Kuvend të kësaj Gjykate, si dhe në anën tjetër opozitën në krye me Lëvizjen Vetëvendosje! që janë kategorikisht kundër saj. Si mendoni ju? Në cilin situatë do të humbiste Kosova, nëse i thotë “Po”a po nëse i thotë “Jo” kësaj Gjykate?

Shkëlzen Maliqi: Gjykata speciale është një detyrim që i është imponuar shtetit të Kosovës prej kohësh dhe është dashur të kryhet më herët, madje gjatë Kuvendit dhe Qeverisë së mëparshme, por e pat humbur ritmin e aprovimit për shkak të zgjedhjeve të parakohshme. Dua t’ju kujtoj se në legjislaturën e mëhershme të Kuvendit ka ekzistuar një disponim mazhoritar pro themelimit të kësaj Gjykate, ku edhe një pjesë e opozitës së sotme që thotë deklarohet se do të votojë  kundër, atëbotë pajtohej me themelimin e saj. Tani, në konfiguracionin e ri të forcave, në krahun e Lëvizjes Vetëvendosje kemi edhe disa subjekte të tjera, e edhe disa individë të PDK-së, që na bëjnë të dyshojmë se a ekziston shumica për votimin e Gjykatës speciale.  Kjo mbase i jep kuptim pyetjes tuaj se në cilën situatë Kosova do të ishte “humbëse”: nëse i thotë “Po” apo “Jo” Gjykatës speciale. Këta që janë kundër themelimit të saj insistojnë se ky do të jetë një akt humbës për Kosovën, se me këtë preket sovraniteti i shtetit tonë, se kemi të bëjmë një ndërmarrje vetëmohuese etj. Këto argumente nuk qëndrojnë, sepse Kosova nuk do të fitonte asgjë me mosthemelimin e Gjykatës, kurse do të humbiste shumë…

Nuk po na shantazhin askush për Gjykatën Speciale

Gazeta Blic: Ambasadorja amerikanë në Kosovë, Tracy Ann Jackobson, në një intervistë ka thënë se nëse këtë nuk e bën Kuvendi i Kosovës, këtë do ta bëjë OKB-ja. A mund të interpretohet kjo deklaratë edhe si një lloj shantazhi?

Shkëlzen Maliqi: Nuk është shantazh, por konstatim i saktë i procedimit të çështjes. Ambasadorja thjesht kujton çfarë do të jetë pasoja e “Jo-së”. Nuk do të jetë asfarë trimërie e as shprehje dinjiteti nëse do t’i themi ‘Jo” Gjykatës. Që nga fillimi dihet se disa organizma ndërkombëtarë, Këshilli i Evropës dhe Këshilli i Sigurimit, pas hetimeve që janë zhvilluar disa vite më mbi bazat e Raportit të Dik Martit, kërkonin themelimin e Gjykatës speciale, që në variantin më të pafavorshëm nuk do të ishte institucion nën juridiksionin e Kosovës, por do të vepronte si një ad-hok gjykatë ndërkombëtare për procesimin e krimeve të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, që dyshohet se i kanë bërë disa pjesëtarë të UÇK-së. Me insistimin e Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve tjera është arritur që themeluesi i kësaj Gjykate të bëhet Kuvendi i Kosovës, si mënyrë që do të dëshmonte se Kosova është shtet bashkëpunues në procesimin e krimeve të luftës të hetuara nga prokuroria speciale. Tani është çështja se nëse Kosova nuk e themelon Gjykatën dhe nuk bëhet pjesëmarrëse në përcaktimin e fushëveprimit dhe mandatit të saj, atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit. Me këtë institucionet e Kosovës, do mbeten në pozitë inferiore, të dyshuara se po i bëjnë obstruksion  drejtësisë. Ashtu siç e kemi pranuar Tribunalin e Hagës, do të duhej të pranonim edhe Gjykatën speciale, e cila e kap edhe një periudhë të pasluftës të krimeve të rënda, si dhe dyshimet për tregeti me organet e viktimave. Kjo e fundit me organet ka bërë bujë të madhe propagandistike në botë dhe Kosova ka interes që kjo të sqarohet dhe zhbëhet si një akuzë e rëndë. Nga hetuesia speciale kemi dëgjuar raportet preliminare, që të paktën për tregtinë me organeve kanë thënë se nuk ka dëshmi. Por do të ishte obligim dhe nderi për Kosovën që të zbardhet çdo akuzë për krimet e rënda, nëse kanë ekzistuar.

Sa i përket Ambasadës së Amerikës, dua ta sqaroj edhe në keqkuptim që po përhapet te ne kur Shtetet e Bashkuara i perceptojmë si shtet aleat të gjithfuqishëm edhe për të mirën tonë, por edhe kur na bën ndonjë vërejtje që tingëllon si “kërcënuese”. SHBA-të nuk e komandojnë as Këshillin e Evropës e as Këshillin e Sigurimit, sado që e kanë zërin e fuqishëm. Andaj, edhe duhet ta kuptojmë dhe t’i bindemi kur na thonë se në interesin tonë është të votohet Gjykata speciale, sepse në të kundërtën, atë do ta themelojë KS. Nuk mund të presim që SHBA-të të përdorin veton për moskrijimin e Speciales, sepse kjo do të kuptohej sikur Uashingtoni po e mbron një çështje të krimeve të rënda, të cilën edhe ashtu deri vonë e ka hetuar një prokuror amerikan.

Gazeta Blic: Këtë javë pritet që para Kuvendit të dalë votimi i Gjykatës Speciale. Mendoni se koalicioni i ka numrat e mjaftueshëm që ta kaloj këtë projektligj?

Shkëlzen Maliqi: Shpresoj se koalicioni qeveritar i ka numrat. Përndryshe,si shtet do të bëjmë një hap prapa duke ia dhënë të drejtën KS të OKB që të rimarrë sërish kompetencat sovrane që i ka pasur kur e dërgoi në Kosovë UNMIK-un si një forcë të përkohshme qeverisëse. Një Gjykatë Speciale e krijuar nga KS do ta ringjallte  Rezolutën 1244, e cila pas shpalljes së pavarësisë është zbehur dhe është bërë gati inekzistente. Do të jepnim me këtë një argument shtesë për mohimin e sovranitetit të Kosovës forcave që edhe ashtu pengojnë afirmimin e plotë të shtetësisë së Kosovës.

Dështuam ne!

Gazeta Blic: Pse mendoni se erdhëm deri tek një situatë e tillë, pra deri tek krijimi i kësaj Gjykate Speciale?

Shkëlzen Maliqi: Në situatë të tillë kemi ardhur sepse nuk i kemi krijuar kushtet që vetë institucionet tona t’i hetojnë dhe procesojnë krimet e luftës, që i kanë bërë disa pjesëtarë të UÇK-së, për të cilat ka pasur dyshime të bazuara. Nëse vetë do t’i procesonim me kohë krimet e rënda ndaj civilëve, jo vetëm ndaj serbëve por edhe romëve, boshnjakëve si dhe shqiptarëve që dikush arbitrarisht i kishte konsideruar si tradhtarë dhe likuduar, nuk do t’i jepnim propagandës spekulative të Serbisë një hapësirë aq të gjerë manipuluese, sidomos kur bëhej fjalë për insistimet se edhe vetë krerët e UÇK-së kanë organizuar tregti me organet e viktimave! Në veshët e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovë kjo propagandë ka gjetur dëgjues dhe replikues të zellshëm, kurse ne kemi dështuar që të bëjmë hetime serioze dhe kredibile, duke i dhënë rastin që këtë ta bëjë një Dik Marti, që unë e konsideroj për sharlatanë, por që megjithatë at e kishte angazhuar Këshilli i Evropës për ta bërë raportin mbi dyshimet dhe thashethemet e ndryshme.

Reagimet ishin shumë të ashpra ndaj Sllovenisë

Gazeta Blic: Autoritetet sllovene për tri ditë e ndaluan kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia më 2004. Ky veprim i Sllovenisë, nxiti reagime të shumta dhe deklarata mjaft të ashpra. Si e shihni këtë veprim të autoriteteve sllovene dhe sjelljet e njerëzve të AAK-së dhe të atyre që e barazuan Slloveninë me Serbinë?

Shkëlzen Maliqi: Deri sa kjo nuk ishte hera e parë që politikanët tanë ndalohen nëpër aeroporte, sepse ende nuk janë anuluar fletarestet ndërkombëtare të Serbisë që i qarkullon Interpolli, nuk duhet të çuditemi pse Haradinaj u ndalua nga policia kufitare e Sllovenisë. Nuk dua të spekuloj se a ka pas ky rast ndonjë prapavijë politike ose të komplotit. Mendoj se nuk ka pas vend për reagime aq të ashpra, me spekulime dhe kërcënime që synonin konfrontim dhe ndërprerje të marrëdhënieve me Slloveninë. Po më duket se Haradinaj, pas që dështoi që sërish të bëhet kryeministër,  e ka humbur disi torruan e politikanit të arsyeshëm duke e shprehur, jo vetëm në këtë rast, një nervozizëm të të dëshpëruarit ose të dikujt “që e ka humbur rrugën në oborr” . Nuk besoj se kjo i shërben ambicies së tij, që edhe ashtu është bukur e fryer.

Gazeta Blic: Së fundi, kemi parë një ashpërsim të gjuhës politike ndërmjet pozitës e opozitës, gjegjësisht ndërmjet AAK-së e PDK-së, sidomos pas arrestimit të anëtarit të AAK-së, Muhamet Kelmendi dhe mospjesëmarrjes së opozitës në seancën festive të Kuvendit. Pse mendoni se po vjen deri tek ky ashpërsim i gjuhës?

Shkëlzen Maliqi: Involvimi i disa pjesëtarëve të AAK-së në rastin e Kumanovës si dhe në disa veprimtari të tjera të dyshimta krijon një mjegullnajë perceptive se mbase edhe vetë Haradinaj është duke rrëshqitur drejt ca politikave më avanturiere. Por nuk dua ta paragjykoj në këtë dimension. Ai duhet vetëta sqarojë këtë. Kurse, ashpërsimet me PDK-në i shoh si pjesë e konfrontimeve të “zakonshme” pushtet-opozitë.

Nuk ka zgjedhja të shpejta

Gazeta Blic:  Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, dhe a besoni se mund të kemi zgjedhje të parakohshme kah fundi i këtij viti apo fillimi i vitit tjetër, ashtu siç edhe pati raportime nga medie të ndryshme?

Shkëlzen Maliqi: Puna e Qeverisë është disi e ngadalshme dhe relativisht e qetë, pa shumë zhurmë, por ende nuk mund të vlerësohet a është kjo për të mirën apo për të keqën e vendit. Një orientim drejt temave të zhvillimit ekonomik hetohet, por nuk i ka ende pikat e qarta udhërrëfyese mbi prioritetet dhe orientimet strategjike.

Sa i përket zgjedhjeve mendoj se koalicioni po tregon tendencën për ta mbajtur pushtetin katër vite. Ndonëse do të doja që të kemi zgjedhje të hershme qoftë edhe që sërish ta testoja parashikueshmërinë e tyre me një exit poll të radhës, mendoj se nuk ka gjasa për zgjedhje të shpejta. E arsyetoj këtë edhe me faktin se aktualisht nuk po e shoh se opozita e ka forcën që t’i provokojë zgjedhjet e parakohshme. Dhe, po kështu, nuk shoh se kemi as forca politike e as lëvizje shoqërore që do të mund ta trazonin gjendjen. Do të doja të mos kisha të drejtë rreth kësaj.