Kompanitë si Google, Microsoft, Mozilla së bashku me inxhinierët e projektit Webkit lajmëruan se ata janë duke ndërtuar një format të ri binar për kompilimin e aplikacioneve në ueb.
JavaScript është një gjuhë e mirë programimi por vit pas viti zhvilluesit kanë punuar për eleminimin e kufizimeve që ka kjo gjuhë si për shembull shtimin e specifikave të reja në këtë gjuhë(Typescript) apo rritjen e shpejtësisë të saj. Tanimë të gjitha këto karakteristika do të vijnë së bashku në formën e WebAssembly.
Ky format i ri do të lejojë zhvilluesit të kompilojnë kodin e tyre për shfletuesin dhe më pas ai ekzekutohet në motorrin e JavaScript. Në krahasim me JavaScript, WebAssembly mund të dekodohet shumë më shpejt. Në këtë mënyrë zhvilluesit mund të bëjnë një kompilim të vetëm i cili do të mund të implementohet në të gjithë llojet e shfletuesve. Skedarët e JavaScript janë tekste të thjeshta që shkarkohen nga serveri dhe kompilohen nga motorri i JavaScript në shfletues.
Skuadra e WebAssembly vendosi të përdorë kodin binar sepse ky kod mund të kompresohet më mirë se sa skedarët tekste të JavaScript, gjithashtu dhe sepse është më e shpejtë për motorrin të dekodojë formatin binar. Si Mozilla ashtu dhe Google janë përpjekur të rrisin shpejtësinë e kodimit në ueb por nuk ja kanë dalë. WebAssembly duket të jetë përgjigjja e këtij problemi.
Në këtë stad zhvillimi, skuadra ka në plan të lancojë dhe një librari që do të përkthejë kodin WebAssembly në javaScript, në këtë mënyrë kodi mund të përdoret në të gjithë shfletuesit. Në vazhdim skuadra do të ndërtojë më shumë vegla për këtë qëllim dhe do të ofrojë mbështetjen për më shumë gjuhë programimi. Inxhinerët theksojnë se qëllimi nuk është zëvëndësimi i javaScript, por mundësia që më shumë gjuhë të kompilohen në ueb. Mundësitë më të mëdha janë që JavaScript dhe WebAssembly të përdoren të kombinuara.