Hamburg do të vazhdojë të jetë skuadra e vetme gjermane që kurrë nuk është rrëzuar në Bundesligën e dytë. Ekipi i Labbadias, fitoi 2-1 pas kohës shtesë ndaj Karlsruhes në transfertë duke siguruar qëndrimin mes më të mirëve të futbollit në Gjermani, pas një 120 minutëshi emocionues, ku Bundesligën në fund e siguroi skuadra që e meritoi më shumë. Hamburgu ishte një hap larg rrëzimit, pasi në minutën e 78-të, vendasit gjetën epërsinë me Reinhold Yabon.
Hamburg kishte nevojë të paktën për një gol për të çuar ndeshjen në shtesë, duke qenë se dhe sfida e parë ishte mbyllur me rezultatin 1-1 dhe pasi goditi shtyllën dhe humbi raste të pastra në 12 minutat e fundit, më në fund në të 90-tën gjeti golin e barazimit me Diazin, që bëri të shpërthejë në stol dhe trajnerin Labaddia.
Këtë herë skuadra veriore nuk ja la më qëndrimin rastësisë, por e mbërtheu vetë atë, me një gol të Muller në të 115-tën.
Karlsruhe në minutën e fundit fitoi dhe një 11-metërsh, që nuk është se do të ndryshonte verdiktin përfundimtar. Megjithatë Adler priti penalltinë duke lejuar Hamburg që të qëndrojë në Bundesligë, si fitues i kësaj sfide, pas 120 minutash./ss/