Ambasadori Naim Malaj gjithmonë në shërbim të Kosovës (Foto)

E publikuar: 29/05/2015 00:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Personalitet që i ka bërë nder Kosovës dhe gjithë kombit tonë. Është diplomat i spikatur dhe ju ka përfaqësuar denjësisht, sikur edhe kombin, në përgjithësi, thotë Ilir Gjoni.

«Nga opinionet e shumë personaliteteve zvicerane dhe shumë diplomatëve të tjerë që janë me detyrë në Zvicër, kam dëgjuar vetëm fjalë të mira», shton ndër të tjera ambasadori shqiptar Ilir Gjoni.

Me organizim të ambasadorit të Shqipërisë në Bernë të Zvicrës, z. Ilir Gjoni dhe stafit të tij, mbrëmë, duke filluar nga ora 19:00, u bë një pritje përshëndetëse e falënderuese për ambasadorin e Kosovës, z. Naim Malaj. Takimi u organizua në ambientet e Ambasadës së shtetit amë, Shqipërisë, për miqtë dhe veprimtarët e ambasadorit kosovar. Siç dihet, ai ditë më parë e ka njoftuar gjithë opinion se do të largohet nga detyra e ambasadorit në fund të muajit maj. 

E mu për këtë, ambasadori Ilir Gjoni e priti në takim lamtumirës ambasadorin e Kosovës, z. Naim Malaj, dhe një numër të madh të veprimtarëve të njohur në Zvicër e më gjerë.

Takim përshëndetës, miqësor e vëllazëror

Me këtë rast, të gjithë që vinin në këtë takim miqësor, përshëndetës dhe falënderues shprehnin falënderimet për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur me ambasadorin Malaj.

Në takim ishte i përbashkët vlerësimi se bashkëpunimi është zhvilluar në nivel jashtëzakonisht të lartë vëllazëror me mirëkuptim dhe miqësi të ndërsjellë ndërmjet Ambasadës së Shqipërisë dhe Kosovës.

Ambasadori Malaj e ka shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit me ambasadorin Gjoni, stafin e tij dhe me gjithë mërgimtarët, pavarësisht se nga cila trevë e Atdheut vijnë. Me këtë rast, kishin ardhur veprimtarë nga të gjitha trevat shqiptare, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Lugina e Preshevës, Maqedonia, si dhe nga Mali i Zi. Ishin ambasadori Malaj dhe Gjoni që gjithnjë rrinin afër njëri-tjetrit dhe bashkëbisedonin me të gjithë ata që vinin. Atëherë kur kaluan 30 minuta, ambasadori Ilir Gjoni e mori fjalën para të pranishmëve, duke thënë:

Naimi është një vlerë e kombit që duhet ruajtur

«Të nderuar vëllezër, mirë se keni ardhur në shtëpinë tonë të përbashkët! Ju falënderoj për praninë tuaj. Sot jemi mbledhur për ta organizuar këtë ceremoni modeste me rastin e lënies së detyrës së vëllait tonë, mikut tonë, Naim Malaj, ambasador i Kosovës. Marrëdhëniet e mia me Naim Malaj, me zonjën e tij Albanën dhe gjithë stafin kanë qenë të shkëlqyeshme. E dini se një kohë të shkurtër jam në këtë detyrë. Por, unë për fat e kisha Naimin, i cili më lehtësoi në shumë drejtime që t’i kaloj ditët e para. Ai më njoftoi me problematikën që ka komuniteti ynë dhe për shumë gjëra të tjera.

Dhe e falënderoj shumë, sikur edhe bashkëshorten e tij, që ka qenë afër familjes sime. Në aspektin profesional, Naimi është një vlerë që kombi ynë e ka dhe që duhet ruajtur. Personalitet që i ka bërë nder Kosovës dhe gjithë kombit tonë. Është diplomat i spikatur dhe ju ka përfaqësuar denjësisht, sikur edhe kombin, në përgjithësi. Nga opinionet e shumë personaliteteve zvicerane dhe shumë diplomatëve të tjerë që janë me detyrë në Zvicër, kam dëgjuar vetëm fjalë të mira. Prandaj, Naimit dhe Albanës ua uroj gjithë të mirat. Suksese në detyrat dhe misionet e reja që ata do të kenë. Duke shprehur edhe një herë falënderimet në emër tuajin dhe stafit, por edhe ambasadori Mehmet Elezi, me të cilin Naimi ka bashkëpunuar më gjatë, duke e ditur se ai ishte më herët në këtë detyrë. Edhe z. Mehmet Elezi më ka njoftuar për Naimin që kur isha në Tiranë, duke shprehur edhe mirënjohjen e tij, të familjes dhe gjithë stafit, si dhe të institucioneve të shtetit tonë, të ministrit të Jashtëm z. Bushati, me të cilin sot biseduam nëpërmjet telefonit për një punë tjetër, por e njoftova edhe për këtë ceremoni, me ç’rast edhe ai e përshëndeti zotin Malaj, duke i dëshiruar gjithë të mirat. Prandaj, edhe një herë ju uroj lumturi e mbarësi dhe faleminderit për gjithçka, i nderuar z. Malaj!».

Diaspora jonë në Zvicër ka dhënë kontribut të madh për Atdheun

Pas këtyre fjalëve, të gjithë të pranishmit duartrokitën fuqishëm dhe ambasadori Ilir Gjoni e përqafoi z. Naim Malaj. Ndërsa Naim Malaj, me disa fjalë i përshëndeti të pranishmit dhe, ndër të tjera, tha:

«Faleminderit shumë, i nderuar z. ambasador Ilir Gjoni për pritjen dhe për mikpritjen. Këtu në Ambasadën e Shqipërisë e ndiejmë veten si në shtëpinë tonë. Ju të nderuar veprimtarë, që jeni të pranishëm, jeni dëshmuar me punë dhe përkushtim për të mirën e kombit në periudha të ndryshme. Diaspora jonë në Zvicër ka qenë e organizuar shumë dhe ka dhënë kontribut të madh për Atdheun, siç edhe po jep vazhdimisht. Prandaj, e kisha nderin që me ju të bashkëpunoj gjatë këtyre viteve.

Sigurisht që për mua fillimi nuk ka qenë i lehtë, sepse kemi filluar si shtet i ri. Ambasada shqiptare ka qenë një mbështetje e mirë dhe shumë e fortë. Ishte ambasadori Mehmet Elezi që më ka ndihmuar shumë dhe i jam mirënjohës edhe atij, familjes së tij, si dhe gjithë stafit. Ne kemi menduar me z. Mehmet Elezi se si t’i përfaqësojmë shqiptarët siç është më së miri, e besoj se ia kemi dalë. Ne jemi përfaqësuar fillimisht si shqiptarë kudo, e pastaj, pa dyshim, na ka ndarë detyra.

Në një periudhë, kemi pasur pesë ambasadorë shqiptarë në Zvicër

Në një periudhë, siç jeni në dijeni, kemi pasur pesë ambasadorë shqiptarë në Zvicër, njëri nga Shqipëria, që ishte Mehmet Elezi, unë nga Kosova dhe Ramadan Nazifi nga Maqedonia. Pastaj dy të tjerë ishin në Gjenevë. Me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar ishim së bashku në Zvicër me mërgimtarët tanë, duke nisur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës. Ishin momente të papërshkrueshme dhe për jetë nuk i harroj, meqë u ndjeva tepër në detyrën time si ambasador.

Ne kemi bashkëpunuar me të gjithë, ashtu si duhet, pra si vëllezër. Kur e kam marrë detyrën si ambasador, edhe pse diplomacia nuk ka qenë profesioni im, kam menduar se do ta përfaqësoj Kosovën si duhet me dinjitet, sepse kam jetuar në Zvicër dhe e kam njohur mirë mentalitetin, e ky gjykim im sigurisht nuk ka dalë i gabuar. Por, nuk është e mirë të flas për veten, edhe pse vlerësimet që vinin dhe që vijnë për punën tonë për ambasadën nga shteti zviceran dhe miqtë tjerë, janë shumë të mira, e ne jemi krenarë për këtë

Ambasada e Kosovës nuk mund të ekzistonte sikur të mos ishit ju, të nderuar veprimtarë të respektuar mërgimtarë që jeni këtu. Shumë prej jush dhe të tjerë që nuk janë këtu keni ndihmuar shumë, na keni mbështetur dhe ju jeni shtylla kryesore. Edhe mediat kanë pasur interesim të ndryshëm për punën që kemi bërë, si ato zvicerane, por edhe ato shqiptare, si «albinfo», «dialogplus», më herët ishte «tung.ch» etj., dhe disa të tjera. Pastaj shoqatat kulturore, sportive e humanitare, kanë pasur bashkëpunim të mirë me ne dhe ne me ta. Jemi munduar që të jemi sa më afër dhe të bashkëpunojmë. Si ambasador, jam përpjekur që të jem në çdo tubim në çdo skaj të Zvicrës, për të parë se sa kemi ecur përpara dhe natyrisht për ta mbështetur mërgatën tonë.

Ka edhe shumë punë për të bërë, por kemi ecur përpara me suksese. Në takimet më të larta që i kemi pasur është folur për Diasporën tonë, për sukseset e saj, meqë ajo po integrohet dhe është integruar mirë, por domosdo edhe për futbollistët shqiptarë që luajnë në Zvicër. E këtë miqtë tanë zviceranë e kanë mirëpritur. Kemi personalitete shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, e me ta ndihemi krenarë dhe gjeneratat e dyta e të treta po shkollohen dhe po na përfaqësojnë denjësisht. Autoritet zvicerane e përcjellin çfarë po ndodh në komunitetin tonë, e përshtypjet e tyre janë pozitive, por na takon të gjithëve që të punojmë e të angazhohemi edhe më shumë. Ju jeni ambasadorët më të mirë që i përfaqësoni shtetet tona dhe kombin tonë, në përgjithësi. Qytetarët tanë kanë punuar me komuna të ndryshme në Zvicër dhe në Kosovë, duke përcjellë miq zviceranë në Kosovë dhe duke sjellë kryetarë komunash në Zvicër. Pra, bashkëpunimi është i shëndoshë ndërmjet miqve zviceranë dhe ne shqiptarëve. Ka qenë nder të jem ambasador i parë i Kosovës në Zvicër, e ai apo ajo që do të vijë pas meje sigurisht se do ta ketë më lehtë.

Fjala shqipe dëgjohet në çdo cep të Zvicrës

Po e kujtoj me këtë rast një shembull, që kur ishte para pak kohësh në Zvicër, presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila sapo ka zbritur nga aeroplani, fjalën e parë e ka dëgjuar shqip. Pra, në çdo cep të Zvicrës ka shqiptarë, madje edhe nëpër vende të ndryshme të punës.

I falënderoj të gjithë, juve dhe të ata që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm. U jam shumë mirënjohës nga zemra për gjithë ndihmën, bashkëpunimin dhe mbështetjen që e kanë pasur me mua dhe me stafin tim. Shumë faleminderit për të gjitha, mbështetjen dhe kurajën, sidomos kur kam qenë në pozita të vështira, sepse nuk ka qenë edhe shumë lehtë. E falënderoj edhe një herë ambasadorin Ilir Gjoni për këtë organizim dhe për bashkëpunimin që e kemi pasur. Unë nuk do të largohem nga Zvicra, por do të jem në Gjenevë, do të jem aktiv dhe do të jemi së bashku e do ta vazhdojmë bashkëpunimin e miqësinë për të mirën e Kosovës, për kombin tonë dhe këtë shtet, ku po jetojmë, Zvicrën. U jam mirënjohës edhe atyre që nuk kanë mundur të vijnë dhe më kanë shprehur urimet përmes e-mail-it, telefonatave. I përshëndes dhe u dëshiroj atyre dhe familjeve të tyre gjithë të mirat. Shumë faleminderit të gjithëve!».

Urimet përshëndetëse për të qenë së bashku

Pas fjalëve të ambasadorit Malaj, të pranishmit afroheshin për ta e uruar për suksese të tjera dhe për ta bërë një foto kujtimi. Ishte ambasadori Ilir Gjoni ai që i ftoi të gjithë për një koktej modest, që ishte shtruar për të pranishmit. E fjalët që dëgjoheshin më së shumti ishin: «U pafshim në të mira!», «Suksese të tjera!», «Gëzuar e shëndet për ne e për familjet tona!», si dhe «Të punojmë edhe më shumë, që të jemi më të bashkuar!». (dialogplus.ch)