Mbesa që vrau gjyshen, kandidate për deputete

E publikuar: 26/05/2015 14:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dëshmia e Gjoana Hilës për vrasjen e 82-vjeçares në Shkodër

 

Xhaxhai emigrant i Gjoana Hilës zbuloi vrasjen dy ditë më vonë, pasi nuk i pa unazën në gisht nënës

Masa e sigurisë – Gjoana Hila, 32 vjeçe, dhe Erando Qatipi janë lënë dje në “burg pa afat” nga Gjykata e Shkodrës, pasi akuzohen për “vjedhje me pasojë vdekjen” e Angje Hilës

32-vjeçarja ishte strehuar nga gjyshja që pas divorcit, por u zbulua, pasi u shpërngul ditën e krimit

Gjoana Hila, vajza e cila akuzohet se ka vrarë gjyshen në bashkëpunim me të dashurin e saj, ka qenë kandidate për deputete. Ky fakt mësohet nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku vihet re se vajza 32-vjeçare ka qenë në listën e Shkodrës për Partinë Aleanca Demokristiane, e drejtuar nga Zef Bushati. Pikërisht në kohën kur ka shpallur kandidaturën për deputete mësohet se është njohur me të dashurin Erando Qatipi, me të cilin kishin rreth një vit që ishin strehuar në shtëpinë e gjyshes së saj. Madje, çifti ka qëndruar aty deri më 25 shkurt, kur kanë vrarë të moshuarën Angje Hila, me qëllim për t’i vjedhur bizhuteritë e florinjta. Provat mbi vjedhjen me pasojë vdekjen e Angje Hilës janë paraqitur dje nga prokuroria, e cila ka treguar se ka qenë xhaxhai i vajzës, ai i cili ka dyshuar te mbesa 32-vjeçare dhe më pas vetë ajo ka pranuar se vrasja e gjyshes është kryer nga i dashuri i saj, që në dëshmi thuhet se ka qenë në gjendje të dehur.

Masa e sigurisë

dhe kallëzimi

Gjoana Hila, bashkë me të dashurin 27-vjeçar, Erando Qatipi, janë paraqitur dje para togave të zeza në Shkodër, duke e pranuar krimin, ndërkohë që prokuroria ka kërkuar për të dy “arrest me burg”, masë e cila është pranuar nga gjykata. Në kërkesën e saj, prokuroria ka treguar se kallëzimi për këtë krim është kryer më 27 shkurt të këtij viti nga Andrea Hila, emigrant në Itali, i cili ka deklaruar se më 25 shkurt është gjetur e vdekur brenda shtëpisë nëna e tij, Angje Hila. Ai ka deklaruar që në fillim se dyshonte që nëna e tij është vrarë për qëllime vjedhjeje.

Dëshmia e xhaxhait,

emigrant në Itali

Xhaxhai i vajzës ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore se ai është me banim në Itali dhe se është lajmëruar për vdekjen e nënës nga i vëllai, Nikolin Hila, babai i Gjoanës. Për këtë arsye, ai është kthyer në Shkodër më 27 shkurt dhe kur ka parë nënën e tij, ka konstatuar se në pjesë të fytyrës kishte shenja dhune. Po kështu ka parë se në duart e nënës nuk ishte unaza dhe ora e dorës, të cilat ia kishte blerë vetë. Nisur nga këto dyshime, ai i është drejtuar policisë për të hetuar më tej dhe ka ngritur dyshimet se nëna e tij është vrarë për t’i grabitur bizhuteritë dhe paratë që i dërgonte ai nga Italia. Për këtë, Hila ka ngritur dyshimet mbi mbesën 32-vjeçare.

Gjoana: E vrau

i dashuri i dehur

Menjëherë pas kallëzimit, policia ka nisur hetimet lidhur me dyshimet ndaj Gjoana Hilës. Sipas të dhënave, pak vite më parë, ajo ishte ndarë nga i shoqi, kështu që e mbetur mes katër rrugëve, gjyshja kishte vendosur ta mbante në shtëpinë e saj. Në vitin 2013, Gjoana kishte vendosur të kandidonte për deputete në Shkodër me Partinë Aleanca Demokristiane, e cila ishte pjesë e koalicionit të majtë. Gjatë fushatës mësohet se ajo ishte njohur me të dashurin e saj pesë vjet më të ri. Pak muaj më parë, ajo kishte filluar të jetonte bashkë me të dashurin në shtëpinë e gjyshes së vet dhe ditën e vrasjes, ajo ishte shpërngulur me shpejtësi prej asaj banese. Këto kanë qenë dyshimet e para të familjarëve të viktimës, të cilat më pas janë përforcuar nga ekspertiza mjekoligjore. Në këto kushte, policia ka marrë në pyetje Gjoanën, e cila ka shpjeguar se ditën e krimit, ka qenë e shoqëruar me Erando Qatipin dhe pas vrasjes së gjyshes janë larguar në drejtim të Tiranës, ku kanë marrë një shtëpi. Por, ajo ka shpjeguar se krimin e ka kryer i dashuri në dijeni të saj. Në këto rrethana është bërë ndalimi i Erando Qatipit dhe pak ditë më parë ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të tij. Pas kësaj, policia ka vendosur arrestimin e mbesës së viktimës dhe të dashurit të saj, të cilët akuzohen për vjedhje me pasojë vdekjen. 82-vjeçarja u ekzekutua nga çifti i të rinjve në banesën e saj. Ajo u mbyt me jastëk dhe më pas Qatipi dhe Hila i kanë marrë asaj disa bizhuteri floriri, dy unaza, një orë floriri dhe një shumë të konsiderueshme parash. Re. Rre.