Edi Rama
Këtu, besoj se u konsumuan të gjitha përshëndetjet e rastit. Kështu që unë dua të përshëndes një zonjë, e cila quhet Vlora, e cila ka lindur në 28 nëntor, Vlora Dumoshën. Dua të përshëndes prindërit e saj, nuk e di a jetojnë, por jam i bindur që në këtë moment janë shpirtrat më të gëzuar në botë. Ashtu siç besoj janë shpirtrat më të gëzuar të gjithë prindërit shqiptarë të Kosovës, që duke pasur parasysh Ismail Qemalin, i vunë emrin Vlorë vajzave të tyre.
Të dashur bashkëkombas, nuk ka gjest më ceremonial, – dhe për hir të së vërtetës më mekanik, për një kryeministër, – sesa përurimi i shtatoreve të historisë të dheut amë në mejdanet e qyteteve. Veçse, miqtë e mi, kur nga dheu skalitet një përmendore e Ismail Qemal Vlorës, është flamuri shqiptar, bajraku ynë i shekujve, që përjetësohet përsëri.
Sa herë që një shtatore e plakut të madh naltësohet përpara nesh, është pavarësia dhe sovraniteti i shqiptarëve që shpallet dhe që rishpallet. Është streha e shqipeve që duke u kthyer në fole të tyre, siç e tha Papa Françesku në Tiranë, dizenjojnë dhe përngjallin hijshëm rrugëtimin tonë të mundimshëm në drejtimin e duhur të mëvetësisë, por jo të mbylljes në vetvete; të vetëvendosjes por jo të vetëmjaftueshmërisë; të patriotizmit bujar dhe dritëplotë, por jo të nacionalizmit koprac dhe qorr.
Shtatorja e Ismail Qemalit, del për të mos lëvizur më mbi këtë shesh, si guri i rëndë në vendin e vet.
Qysh prej 1912-ës rrugëtimi i shëmbëlltyrës së bronztë apo të gurtë, të kësaj figure të madhe të kombit tonë, me gjithë ndalesat në sheshe të ndryshme, të qyteteve shqiptare, por edhe të qyteteve europiane, nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do të ishte ndalur edhe në Prishtinë, në këtë vend të themelit të qytetërimit shqiptar në këto troje.
Ç’u përkrye në Vlorë në Shpalljen e Pavarësisë, të mos e harrojmë, u ngjiz këtu, në krye të herës, me kryengritjet e mëdha të 1910-1911-ës. Dedë Gjo Lulit e Idriz Seferit iu lutën vatranët toskë të Bostonit t’ia përfalnin flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore të sjellë prej Amerike, bash Ismail Qemalit kur të vinte këmbë në vatan në 1911-ën.
Ai flamur amë, ndonëse humbi fizikisht, u bë farë e shenjtë e atyre flamujve që përflakën tokën shqiptare në vijim me zjarrin e lirisë dhe të mëvetësisë, me zjarrin e dashurisë së patregueshme të shqiptarëve të asaj kohe e të kohërave më pas, deri kur liria dhe mëvetësia erdhi edhe këtu në Kosovë.
Njërin syresh ndër flamujt e tokës së përflakur rroku burrnisht Isa Boletini, disa ditë pas ngritjes së bajrakut në sarajet e vlonjatit të madh, duke i dhënë të gjithë kuptimin triumfit të lirisë dhe vetëqeverisjes së kombit të një gjuhe dhe të një gjaku, të vuajtjeve të bashkëndara dhe të fitoreve të hidhura, sepse të marra peng nga të tjerët.
Në Vlorë Isa pruri Kosovën, bash se kjo tokë ishte asokohe nën zgjedhë të imponuar.
Sot, në Kosovën e lirë dhe të mosvarme, Ismail Qemali vjen, si të thuash me këmbët e veta, të përshëndoshet me bijtë e tij të kësaj ane dhe më së fundit prehet me shpirtin e tij rrezatues edhe në këtë tokë, përfundimisht të çliruar e të mosvarme, njëherë dhe përjetë.
Siç e rilindur, e gjallë, më shumë se asnjëherë, hap sot Kosova vendin e tij, po aq i gjallë vjen sot Ati i Pavarësisë tek Kosova.
Sot, një pasardhës fare modest, në funksionet që i pari Kryeministër i shqiptarëve, Ismail Qemali, ushtroi me urtësi në shërbim të kombit, unë nuk jam këtu së bashku me Pandeli Majkon, kryeministrin e Shqipërisë në luftën për lirinë e Kosovës, për të murosur në përmendore aktin e pavarësisë së 1912-s, të cilin historianë, antikuarë, dhe kultivues të një kujtese fetishiste, statike e kërkojnë sot e gjithë ditën si beduini mirazhin e ujit në shkretëtirë. Ndoshta ai akt, mjerisht, fizikisht sot i humbur, flet për ne më shumë, pikërisht me humbjen e tij. Flet për të kuptuar ne, brezat që vijnë, por edhe të huajt, se aspak peng i fatit shqiptari është, edhe ca më pak rob i letrave. Është forca e fjalës, e fjalës së dhënë dhe e shembullit të jetuar, që na bën këta që jemi, kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë këtu në Ballkan.
Kur Ismail Qemali i kërkonte fqinjëve të respektonin fjalën e dhënë për moscënimin e integritetit tonë, ai nuk bëhej zelltar i letrave, traktateve apo marrëveshjeve që interesat gjithfarë dhe diplomacitë gjithfarë, atëhere, sot e gjithë ditën kanë një fuqi të patregueshme për t’i farkëtuar brenda kallëpeve të padrejtësive dhe të pabarazive.
Kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë t’i imponojnë një faturë të padrejtë një shteti të vobektë. Por rreken të besojnë shpesh edhe kundër të besueshmes, se fjala dhe besa, as nuk nëpërkëmben, as nuk poshtërohen, as nuk pushkatohen dhe as nuk treten jo e jo.
Kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa çfarë kanë serbët e veriut të Kosovës, dhe as ne shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës s’kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën e me Europën për t’a kryer bashkimin kombëtar si kulmim. Përveçse si kulmin të bashkimit shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror me Bashkimin Europian dhe kurrsesi jo, si përçmim sipëran ndaj fqinjëve me të cilët duam po ashtu të bashkohemi nën çatinë e përbashkët të Europës. Në respekt të njëri- tjetrit, duke bërë për tjetrin atë që bëjmë për vete dhe duke i kërkuar tjetrit, as më shumë e as më pak se atë që bëjmë për tjetrin.
Sot, unë dhe Pandeli Majko, si dy njerëz që kemi pasur fatin të bëjmë të njëjtën detyrë, që i pari e bëri Ismail Qemali, në fakt nuk kemi sjellë as shtatoren. Kjo shtatore është fryt i përpjekjes së një grupi qytetarësh nga Vlora dhe nga Prishtina, të cilët e kanë sjellë këtu krejt natyrshëm, duke bashkuar dëshirën, duke bashkuar qëllimin, duke bashkuar edhe mundimin. Dhe respekt për ta.
Por sado e bukur qoftë kjo shtatore, një monument, nuk duhet harruar asnjëherë, se etimologjikisht përafrohet me fjalën varr dhe përderisa është e vështirë ta gjesh të dergjur në errësirë Ismail Qemal Vlorën, me gëzim të madh është jeta e dalë nga jeta e tij sot, që ne përshëndesim me mirënjohjen tonë më të thellë.
Fati i individëve ngjason nganjëherë me fatin e kombeve, të rreshkur deri dje, nën purtekën e diktaturës dhe të përdhunës shtetërore dhe etnike. Stërnipërit e atyre shqiptarëve të Kosovës që luftuan krah Isamil Qemal Vlorës, këtu e 100 vjet më parë, mund të takohen sot për shkak të Ismail Qemal Vlorës, me stërnipërit e tij. Të cilët edhe ata, pa bërë asnjë faj, vuajtën një persekutim dhe një diskriminim absurd nga diktatura komuniste në Shqipëri. Njësoj si shqiptarët e Kosovës, që ju mohua flamuri i kombësisë së tyre, ashtu edhe Vlorajve, ju mohua mbajtja e atësisë për dekada të tëra.
Ishte e thënë mesa duket, që krahas Kosovës së martirizimit, Kosovës së dëshmisë së madhe për liri individuale, publike dhe kombëtare për mëvetësi dhe vetëvendosje, për zgjedhje të lirë, për të qenë e barabartë me të tjerët në gjirin e Europës së madhe, të ecte mundimshëm edhe familja e Atit të pavarësisë të shqiptarëve.
Por, endja tashmë shekullore e Ismail Qemalit gjen sot këtu përmbushjen e saj historike, por jo fundin e dinamikës dhe mesazhit të saj të paçmueshëm politik. E nëse shqiptarët kudo që ndodhen do të duhet vërtet t’a nderojnë këtë shtatore, t’a nderojnë qenësinë e atit të kombit ashtu siç vërtetë duhet, ata do ta shohin atë në sy edhe kur nuk janë përballë shtatores së tij.
Të shohësh Ismail Qemalin në sy kërkon një inteligjencë dhe një kthjelltësi, që sigurisht fillon nga zemra por që vazhdon drejt rrugës së vlerave demokratike dhe drejt përmbushjes së atij amaneti, në fillesat e të cilit Ismail Qemali vuri jetën e vet. Amanetit të shqiptarëve të bashkuar në Europën e Bashkuar, të shqiptarëve të bashkuar si shqiptarë dhe si europianë në një hapësirë lirie, demokracie, ku askush, kurrë, asnjëherë nuk do të mundet, jo t’i përpijë por ta imagjinojë më se mund t’i përpijë shqiptarët.
Të shohësh Ismail Qemalin në sy kërkon modesti por edhe vetëgjyqësi politike, kërkon forcën e përhershme të shembullit, por assesi jo shembullin e forcës. 68 vjeç ishte ky njeri kur ia arriti të zgjojë nga një përgjumje shekullore dhe ta bëjë të denjë për Europën e kombeve Shqipërinë. 7 vjet kanë kaluar që kur Kosova fitoi të drejtën për të mos qenë e lirë dhe e mosvarme, duke u bërë e denjë për Europën e shteteve.
100 vjet e pak më shumë u deshën që ky njeri i madh, të vijë tek kjo pjesë e kombit të tij dhe që sot të dyja anët e Bjeshkëve shqiptare, të jenë dy pjesë të lira dhe të mosvarme nga askush.
Vitet kanë rëndësi për ata që kanë kohë dhe që kanë nge t’i numërojnë. Ndërsa për vizionarët dhe për popullin që sheh me forcën e madhe të ndjenjës së tij të përkatësisë përtej shifrave, vitet janë thjeshtë shkallë të përmbushjes së një detyre, të çuarjes përpara të një misioni, të afirmimit të një vokacioni historik. Një detyrë, që siç e dëshmon jeta e Ismail Qemalit, vazhdon përtej viteve të tua të mundshme.
Një mision, që siç e dëshmon historia jonë e përbashkët, e Shqipërisë dhe e Kosovës, nuk mbaron me jetën tënde. Një vokacion historik, që siç e tregon ajo çka ne si shqiptarë sot kemi arritur, është një vokacion që populli yt nuk e lë asnjëherë të tretet, as kur edhe shpresa e fundit duket krejt e tretur.
Sfidat e sotme të shqiptarëve, këndej dhe andej Bjeshkëve, kanë gjithmonë, edhe për një kohë që ne nuk e dimë, një përgjegjësi të dyfishtë.
Vizioni ambicioz i atit të pavarësisë, për ndërgjegjësim etik të mbarë shqiptarëve, do të na gjykojë po aq rreptësisht sa historia vetë, ashtu siç do të na gjykojnë gjeneratat e tjera të shqiptarëve në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi dhe gjetkë, nëse, qoftë edhe për një dekik të vetme, ne do të humbim fillin e arsyes dhe do të tundohemi nga shembulli i forcës, duke harruar se deri këtu Ismail Qemalin dhe misionin e tij e ka sjellë, forca e shembullit.
Nuk është këtu një shtatore dhe as një flamur. Çka zbuluam sot nga copa e ceremonisë, është në fakt, – besoj unë dhe çka kryetari i bashkisë së Prishtinës ka menduar, – pikënisja e një sfide madhore të historisë tonë, të vjetër dhe të re. E sfidës së përgjegjshmërisë që ka gjithmonë nevojë të kujtohet për pikënisjen.
Sa herë do të luhatemi nga tendencat njerëzore për t’ju nënshtruar tundimeve të pushtetit apo për të shkuar pas paudhësive në dëm të shtetit; sa herë që syrin do t’a kemi të veshur me perden e mllefit për tjetrin e do të priremi nga grindja, nga smira e nga dasia, thjeshtë atëherë do të jemi vërtetë ata që e nderojmë Ismail Qemalin nëse pikërisht atëherë, do të kemi forcën të kthehemi nga ky burrë dhe t’a vështrojmë këtë fytyrë të paqme, e cila është shëmbëlltyra e të vërtetës së madhe. Se deri këtu, kemi ardhur jo duke bërë të fortin por duke kërkuar drejtësi; jo duke shkelur të tjerët por duke ju kërkuar të tjerëve të mos guxojnë të na shkelin; jo duke thënë “bëni siç themi ne por mos bëni siç bëjmë ne”, por duke bërë për të tjerët atë që ua kërkojmë të tjerëve të bëjnë për ne.
E pra, vështrimi i vetvetes përmes syve të Ismail Qemalit do të jetë gjykimi, do të jetë ndëshkimi, apo do të jetë shërbimi ynë në çdo kohë.
Që prej më shumë se 100 vjetësh, ky plak i pavdekshëm, shndrit i parrudhur, i përkorë dhe është këtu mes nesh gjithmonë i gatshëm që sëbashku me ne të gjithë të vazhdojë të bëjë histori.