Elhaida Dani sonte do të performojë në skenën e Eurovizionit, që do të jetë edhe nata e parë gjysmëfinale e festivalit evropian të këngës.
Ngjarja, e cila këtë vit vjen në edicion jubilar, të 60-të, zhvillohet në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, me fillim nga ora 21.
Elhaida, e cila përfaqëson Shqipërinë pasi triumfoi në Festivalin e Këngës të Radiotelevizionit Shqiptar, do të performojë këngën e saj “I’m Alive” e 14-ta radhazi.
Telegrafi raporton se po sonte në mesin e 16-të konkurrentëve do të performojnë edhe disa nga fqinjët si Greqia, Maqedonia dhe Serbia, 10 nga të cilët do të kualifikohen për në finale,
Ndërkohë gjysmëfinalja e dytë e Eurosongut zhvillohet dy ditë më pas, e enjte, 21 maj, derisa finalja zhvillohet të shtunën, 23 maj.
Kujtojmë se Elhaida hasi në probleme në rrugën e saj drejt festivalit evropiane. Pasi fillimisht u kritikua se kënga e saj “Diell” nuk ishte më e mira e festivalit të RTSH, ajo më pas hasi në mosmarrëveshje me autorët e këngës.
Kështu këngëtarja shqiptare u detyrua të bëjë një këngë tjetër, “I’m Alive”, për t’u prezantuar në Eurosong, një hap tjetër që nxiti pakënaqësi në mesin e artistëve dhe mediave, një pjesë e të cilave menduan se ajo duhej të tërhiqej nga gara.
Sidoqoftë, Elhaida sonte ka nevojë për mbështetjen e gjithë publikut shqiptar për të nxjerrë një rezultat sa më të mirë për Shqipërinë.
Gjysmëfinalja e parë, 19 maj:
Shqipëria, Greqia, Maqedonia, Estonia, Holanda, Moldavia, Finlanda, Belgjika, Armenia, Serbia, Danimarka, Bjellorusia, Rumania, Spanja, Austria, Franca, Rusia, Gjeorgjia dhe Hungaria.
Gjysmëfinalja e dytë, 21 maj:
Norvegjia, Irlanda, Çekia, Lituania, San Marino, Malta, Portugalia, Mali i Zi, Zvicra, Azerbajxhani, Sllovenia, Letonia, Polonia, Islanda, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Izraeli, Qipro dhe Suedia. /telegrafi/