Jemi të gatshëm t’i ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për cilindo kandidat për president që ata e ofrojnë, tha kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se ka komunikuar edhe me Hatixhe Hoxhën, e cila sipas tij ka shprehur gatishmërinë për të tërhequr kandidaturën nëse partia e Lumir Abdixhikut e propozon kandidatin.
“Unë kam komunikuar me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe ajo është dakorduar që të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja i sjell 15 nënshkrime për kandidatin e saj, kushdo që është. Me atë rast, LVV-ja i plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca, meqenëse lirohen ato nënshkrime me tërheqjen e Hatixhe Hoxhës. Me këtë rast do të kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një nga LDK-ja. Këtu jam në katin e dytë të Kuvendit te zyra e LVV-së. Këtu mund të më gjejë LDK-ja për t’i sjellë 15 nënshkrime me emrin e kandidatit të tyre për president. 15 nënshkrime ata, tërhiqet Hatixhe Hoxha”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.
Kurti tha se nuk e ka problem me asnjë kandidat që e ofron LDK-ja, përfshirë ish-presidenten Vjosa Osmani.
“Asnjë problem nuk kemi me asnjë kandidat që na sjell LDK-ja. Vetëm të na sjellin 15 nënshkrime apo 14 apo 13 me datën e sotme dhe pastaj ne i plotësojmë çka u mungon. Në kuti, votimi i fshehtë. Ne do të ulemi prapë dhe të bisedojmë, por ju duhet të kuptoni se nuk jam unë kurrfarë personi që shikon edhe brenda kutive. Unë nuk i kam ditur se sa vota mbrëmë do t’i ketë Feride Rushiti. Ju e patë se një votë ishte e pavlefshme dhe 63 për Feride Rushitin. Me këtë rast ne ia mundësojmë LDK-së që të kualifikohet për të aplikuar dhe të kemi garë… Do të pranonim. Vetëm të na sjellin. Dikush që nuk ka treguar as 15 nënshkrime, për kënd janë me kërkuar garancë për 66 vota, ku janë aq shumë parti dhe aq shumë deputetë, ku ju e patë se edhe mbrëmë dikush e bëri të pavlefshme. Ajo çka po kërkoni ju është diktaturë. Atëherë përcjellni atij”, shtoi Kurti.
Madje Kurti ironizoi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nëse mund t’i sigurojë të 15 nënshkrimet e deputetëve të tij për kandidatin për president.
“Mund të mos i kenë 15 nënshkrime, ndoshta i kanë katërmbëdhjetë, por nëse s’i kanë katërmbëdhjetë, ndoshta i kanë trembëdhjetë. Katërmbëdhjetë, trembëdhjetë, sa t’i kenë le t’i bien, unë i marr ato dhe çka mungon e plotësoj, veç le t’i sjellin kandidatin e tyre dhe ne i plotësojmë”, shtoi ai.
Ai tha se Feride Rushiti i ka votat për presidente dhe sipas tij kjo u dëshmua dje, mirëpo në Kuvend po mungon kuorumi pasi opozita nuk po merr pjesë në seancë.
“Republika e Kosovës mund të ketë presidente të re, ajo është doktoresha Feride Rushiti, meqenëse në kuti me votim të fshehtë i kishte 63 vota. 63 vota në një kuvend me 120 deputetë është shumica, pra Feride Rushiti i ka votat për presidente. Ajo çka nuk është, është kuorumi në Kuvend. Kuvendi nuk po ka kuorum, ndërkaq Feride Rushiti i ka votat. Mos harroni se 63 vota të fshehta janë më shumë sesa votat e qeverisë Thaçi 2 dhe qeverisë së PAN-it me Haradinajn kryeministër. Feride Rushiti i ka votat për presidente, ajo çka nuk kemi është kuorumi në Kuvend për fajin e partive opozitare. Të gjithë e keni vërejtur se katër parti mungojnë në Kuvend: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe”, tha ai.
Seanca për presidentin është shtyrë për në orën 23:00.

















