Haliti: Albin Kurti është fajtori kryesor që vendi po shkon në zgjedhje të reja

E publikuar: 25/04/2026 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fajtori kryesor që vendi po shkon në zgjedhje të reja është kryeministri Albin Kurti, thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti. Sipas tij, lideri i LVV-së ka një fobi ndaj të gjithëve dhe mosbesim ndaj çfarëdo marrëveshjeje për presidentin. Ai përmend edhe partitë e tjera opozitare, meqë shton se asnjëra prej tyre nuk ka qenë e gatshme të mbështesë një figurë që nuk është e lidhur me partinë e vet. Prandaj, Haliti thekson se në situatën aktuale, ani pse ka edhe tri ditë afat kushtetues për ta zgjedhur presidentin, kjo çështje për PDK-në, është e mbyllur.

Megjithatë, Haliti në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse Kurti i përmbush kërkesat e PDK-së brenda afatit kushtetues, mund të ulen të diskutojnë sërish për ta zgjedhur presidentin.

Kurti në fillim të kësaj jave parashtroi dy oferta karshi PDK-së dhe LDK-së. Kësaj të parës i ofroi postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të zgjedhjes së presidentit, ndërkaq LDK-së bashkëqeverisje ose kryeparlamentarin, por të dyja propozimet nuk u pranuan nga dy partitë, pasi insistuan të diskutojnë vetëm për çështjen e presidentit.

“Fajtori kryesor është mosbesimi, më së pari, ndaj njëri-tjetrit. Dhe e dyta është çështja e mosbesimit që ka Albin Kurti ndaj të gjithëve. Kam përshtypje që ka fobi ndaj të tjerëve dhe nuk i beson marrëveshjeve, nuk i beson fjalës… Ky është problemi që unë mendoj se asnjë parti nuk ka qenë e gatshme me krijuar, me ideuar ose me mbështetur një figurë që nuk është e lidhur me partinë e vet… Ne kemi deklaruar që është e mbyllur. Por është e mbyllur sepse s’iu ka përmbajtur kërkesës së PDK-së Albini, respektivisht VV-ja. Por unë besoj që ne nuk jemi në luftë, nuk jemi në gjendje lufte mes vete. Kemi mospajtime dhe nëse përmbushen kërkesat e PDK-së dhe Albini është i gatshëm me e biseduar konkretisht për qëndrimet që i ka PDK-ja, unë besoj që nuk do të kishte pengesa për t’u takuar prapë”, thekson ai.

Haliti kritikon Kurtin se ka bërë akrobacione për të mos pasur një emër të opozitës për president. Ai nënvizon se vendit i duhet një president që është figurë garantuese që zbaton Kushtetutën dhe jo urdhra politikë.

“Meqenëse Albini ka kërkuar herën e parë që ne ta kemi kandidatin tonë dhe tha, ua japim edhe atë numrin shtesë, domethënë edhe tetë nënshkrime që duhet sipas Kushtetutës me i dorëzuar në Kuvend, ne normalisht që nuk ishim dakord me këtë variant. Për arsye se ne e dimë se nuk mundet me u zgjedhur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në qoftë se Vetëvendosja nuk e voton… Varianti i dytë që ka propozuar zoti Hamza është me pasur dy kandidatë nga Partia Demokratike, por mos me pasur kandidatë të tjerë dhe me pasur marrëveshjen që me u votuar nga VV-ja këta dy kandidatë… Vendi në zgjedhje po e çon Albin Kurti, nuk po e çon opozita. S’mundet me e çuar opozita në qoftë se ai është bashkëpunues me opozitën. Ai duhet me bërë lëshim”, deklaron ai.

Haliti për KosovaPress tregon edhe detaje për mënyrën e komunikimit të kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ai shton se ky lloj komunikimi nuk i ka pëlqyer, sidomos mënyra se si ftohen dhe aranzhohen takimet për ta zgjedhur presidentin.

Këto janë komunikimet me SMS ndërmjet Kurtit dhe Hamzës

“Unë e kam parë komunikimin se na ka treguar Bedriu, komunikimin me SMS. Nuk më ka pëlqyer mënyra se si i fton kolegët ose po i quaj homologë, qoftë edhe kundërshtarë politikë. Po ti i thirr, të gjithë jemi të thirrur… E thirr me takim, i thotë, jam i gatshëm me u takuar me juve në zyrën ku janë takuar ata, me datën kaq e hënë, me datën kaq e martë, kaq ora, me datën kaq të enjten, kaq ora, edhe zgjidhe merre ti kur po do me ardhur…”, thekson Haliti.

Ai nënvizon se s’ka asnjë garancë se pas zgjedhjeve të reja mund të zgjidhet presidenti i ri, pasi kërkesat do të jenë të njëjta nga partitë opozitare. Kësisoj, sipas tij, ekziston mundësia që nëse vazhdohet në këtë formë, të ketë zgjedhje pas zgjedhjesh.

Sipas tij, nuk mund të ndryshojë shumë rezultati i zgjedhjeve të fundit të 28 dhjetorit, megjithatë shton se mendohet që LVV-ja do të ketë një rënie të madhe.

Zgjedhje pas zgjedhje, çka paralajmëron Xhavit Haliti

“Zgjedhjet e reja, unë nuk kam parë sondazhe, nuk e besoj që do të ndryshojë shumë. Por mendohet që Vetëvendosja do të ketë rënie të madhe… Ekziston mundësia në qoftë se vazhdojmë kështu, me pasur edhe një palë zgjedhje të tjera. Sepse nëse s’mundet me u zgjedhur presidenti, prapë ka zgjedhje të tjera… Nuk ka garancë. Varet nga votat. Në qoftë se nuk është zgjedhur tani, kërkesat kanë me qenë të njëjta edhe pas këtyre zgjedhjeve nga partitë opozitare… Dhe nëse nuk realizohen, prapë duhet me shkuar në zgjedhje”, përfundon ai.

Kuvendi ka afat kushtetues që deri më 28 prill ta zgjedhë presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja. /kp/