“Edhe producentët dhe skenaristët e Hollivudit do t’i kishin zili”, prokurorja: Murseli u paraqit si person human

E publikuar: 17/04/2026 11:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ka deklaruar se të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt kanë paraqitur tri versione të ndryshme të ngjarjes, duke e përshkruar këtë si “tri skenarë të ndryshëm” ku secili prej tyre ka tentuar ta shmangë përgjegjësinë dhe t’ua faturojë fajin të tjerëve, raporton Ekonomia Online.

Ajo këto deklarata i bëri në fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, duke theksuar se provat dhe dëshmitë e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dëshmojnë për një planifikim të mirëfilltë të vrasjes.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, kemi pasur mundësi t’i shohim tri mbrojtje të mirë menduara, ‘tri skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje’, të cilat janë dhënë nga tre të akuzuarit e në të cilat mundet që edhe producentët dhe skenaristët e Hollyëoodit do t’i kishin zili, ku secili nga të akuzuarit veten e ka paraqitur si person që nuk ka asgjë me kryerjen e veprës penale, duke ia hedhur fajësinë të tjerëve”, tha ajo.

Ajo shtoi se i akuzuari kryesor, Naim Murseli, në mbrojtjen e tij është përpjekur të paraqitet si person human, duke pretenduar se kishte ndihmuar financiarisht të akuzuarin tjetër, Granit Plava, por sipas saj, kjo bie ndesh me akuzat që ai i bën më pas ndaj tij.

“Mirëpo në shqyrtimin gjyqësor nuk e ka pranuar që të njëjtin po e akuzon që pa kurrfarë arsye një njeri të cilit i ka ndihmuar në jetë, ia ka vrarë bashkëshorten, duke mos pasur aspak dilemë që ai ka qenë Granit Plava, edhe pse sipas fjalëve të tij personi që ka dalë para veturës ka qenë i maskuar”, tha ajo.

Prokurorja theksoi se ekziston një motiv i qartë financiar dhe familjar pas krimit, duke përmendur sigurimin jetësor të viktimës dhe raportet e prishura bashkëshortore.

“Familja Murseli në Suedi ka paguar policën e sigurimit në emër të Liridona Ademajt. Menjëherë pas kësaj, Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që të gjejë mënyrën për ta vrarë Liridonën, që do të thotë me vetëdije është paguar polisa e sigurimit jetësor për Liridonën. Po ashtu, ai ka deklaruar se raportet bashkëshortore kanë qenë të prishura dhe se Liridona nuk ka dashur të shkurorëzohet”, tha ajo.

Sipas saj, këto rrethana tregojnë se Murseli ka hartuar një plan për eliminimin e bashkëshortes së tij, duke përfshirë edhe të akuzuarit e tjerë.

“Që do të thotë që Naimi ka bërë një plan të mirëfilltë se si ta heqë qafe bashkëshorten e tij, ku e përfshin në vitin 2022 të akuzuarin Kushtrim Kokalla, i cili më pas së bashku me të e gjejnë personin e tretë që do ta kryejë vrasjen, pra Granit Plavën”, tha ajo.

Ajo shtoi se komunikimet dhe provat tregojnë për koordinim të vazhdueshëm mes të akuzuarve dhe për marrëveshje për kryerjen e vrasjes më 29 nëntor 2023.

“Sipas deklarimeve dhe provave, pas marrëveshjes mes Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës është vendosur që Liridona të vritet më 29.11.2023, gjë që vërtetohet edhe me mesazhin që Naimi i ka dërguar Granit Plavës një ditë para vrasjes me fjalët ‘kjo përfundon nesër, a të ka tregu Kuqa’. Ndërsa i ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e vrasjes”, tha ajo.