Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputetin e ardhshëm zviceran me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, i cili pritet të nisë mandatin në fund të këtij muaji.
Kurti e falënderoi Bullakajn për vizitën dhe e uroi për zgjedhjen deputet në parlamentin federal të Zvicra, duke theksuar rëndësinë e këtij suksesi për komunitetin shqiptar në diasporë. Ai nënvizoi se Bullakaj bëhet vetëm personi i dytë me rrënjë nga Kosova, pas deputetit Islam Alijaj, që fiton mandat në këtë institucion.
“Ju përgëzoj për këtë arritje të rëndësishme dhe për përfaqësimin dinjitoz të komunitetit tonë në Zvicër”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë takimit.
Me origjinë nga Suhareka, i zhvendosur në Zvicër në vitet e ’90-ta, Bullakaj është aktiv në politikën zvicerane për më shumë se 20 vjet. Ai është anëtar i këshillit federal të Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP), president i SP Migrante në kantonin e St. Gallen dhe kryetar i Komitetit të Iniciativës Demokratike për reformën e shtetësisë zvicerane.
Kjo iniciativë, e cila mblodhi më shumë se 100 mijë nënshkrime të vlefshme dhe iu dorëzua parlamentit në nëntor të vitit 2024, synon lehtësime në procesin e fitimit të shtetësisë zvicerane.
“Angazhimi ynë synon të krijojë kushte më të drejta dhe më të barabarta për të gjithë ata që kontribuojnë në shoqërinë zvicerane”, ka theksuar Bullakaj.
Në takim u diskutua për integrimin dhe sukseset e mërgatës në Zvicër, si dhe për kontributin dhe rolin e tyre në zhvillimin e Kosovës.
“Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve tanë në diasporë është i domosdoshëm”, thuhet në komunikatë.


















