Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar familjen Prekazi në Prishtinë, me të cilën ka diskutuar për sfidat ekonomike me të cilat po përballen familjet kosovare, si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.
Gjatë vizitës, kryetari Hamza theksoi se standardi i jetesës është përkeqësuar ndjeshëm kohëve të fundit, duke u bazuar edhe në të dhënat e fundit të statistikave.
“Është shumë shqetësuese rritja e çmimeve. Inflacioni vetëm në muajin mars ka arritur në 6.7% krahasuar me vitin paraprak. Kur e shohim në periudhë më të gjatë, shumë produkte janë shtrenjtuar 50, 60 deri në 100 për qind. Ndërkohë, të ardhurat në sektorin privat dhe publik nuk kanë arritur ta përcjellin këtë rritje, duke e bërë jetën shumë më të vështirë për qytetarët”, u shpreh Hamza.
Kryefamiljari Afrim Prekazi tha se sfidat e familjes së tij janë të njëjta me ato të shumicës së qytetarëve.
“Janë rritur për 100% nxemja, rryma, uji dhe shumë shpenzime të tjera. Për një familje me një të punësuar, këto janë të papërballueshme. Unë dal në pension pas tre muajsh, ndërsa gruaja pas një viti, dhe brenga jonë më e madhe është si do ta përballojmë këtë situatë me pensionet dhe koston e jetesës”, theksoi ai.
Edhe zonja e shtëpisë, Valbona Shala Prekazi, ngriti shqetësimin për përballimin e shpenzimeve ditore.
“Ne që merremi me mirëmbajtjen e shtëpisë e ndjejmë drejtpërdrejt rritjen e çmimeve. Pagat që kemi, me rritje minimale, nuk e përballojnë jetën e përditshme”, tha ajo.
Kryetari Hamza theksoi se rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve ka ndikim zinxhir në gjithë ekonominë, ndërsa adresoi edhe përgjegjësinë institucionale për situatën aktuale.
“Kur shtrenjtohet energjia dhe nafta, rriten të gjitha çmimet e tjera. Por fatkeqësisht, edhe kur bie çmimi i naftës, çmimet e produkteve nuk ulen. Shumë qytetarë sot janë të detyruar të hyjnë në kredi apo overdraft vetëm për ta përballuar muajin. Familjet po e bartin barrën kryesore të kësaj krize dhe ato kanë nevojë për politika që i mbrojnë. Qytetarët tanë meritojnë jetë më të dinjitetshme”, tha ai.
Në fund, Hamza u shpreh optimist se situata mund të përmirësohet përmes politikave të duhura dhe angazhimit të sinqertë institucional.
“Nëse dëgjojmë qytetarët dhe punojmë me përkushtim, mund të ndërtojmë një Kosovë më të mirë për të gjithë”, përfundoi Hamza.
Ndërsa kryefamiljari Prekazi shtoi: “Ky vend mund të ecë përpara vetëm me njerëz të mençur dhe vendime të drejta.”

















