Arlinda Muqa betohet si anëtare e re e KPK-së, me mandat pesëvjeçar

E publikuar: 14/04/2026 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në takimin e 292-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është betuar si anëtare joprokurore me mandat pesëvjeçar Arlinda Muqa.

Betimi i Muqës u bë pas leximit të tekstit të betimit nga kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, i cili sqaroi se Muqa ka bërë pezullimin e punës që e kishte paraprakisht me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Ndërsa, pas betimit të Muqes, Elza Ujkani, anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka kërkuar që të ndryshohet rregullorja për procedurën disiplinore për anëtarët e këtij këshilli.

“Sa i përket rregullores për procedurën disiplinore për anëtarët e Këshillit Prokurorial në fakt e kam parë ashtu siç e ceki edhe Visari, ndryshimet që janë në këtë rregullore në këtë draft janë mirë të specifikuara nga ajo e cila kishte qenë në fuqi prej vitit 2016, vetëm unë çka kisha propozua për me u specifiku është vetëm te neni 20, veprimet e këshillit pas raportit të komisionit disiplinor ad hoc të paragrafi dy është përcaktuar Këshilli mund të vendosë 2.1 të miratojë raportin e komisionit disiplinor dhe të shqiptojë sanksionin disiplinor të propozuar që konsideroj që është plotësisht në rregull. Nënparagrafi 2.2 hedhë raportin e komisionit disiplinor, këtë pjesë ose këtë përcaktim në rregullore mendoj që ish dashtë me specifiku, sepse zakonisht hedhja e një raporti apo një parashkresë zakonisht bëhet me procedurën fillestare ku shqyrtohen ku ka pengesa procedurale. Kështu që në këtë rast i bie që ne vetëm kemi hyrë në shqyrtim të raportit, është zhvilluar procedura hetimore ndaj anëtarëve të Këshillit, ose ta largojmë tërësisht edhe të mbetet vetëm miratimi i raportit ose ndryshimi i sanksionit ose edhe refuzimi në tërësi i raportit të komisionit disiplinor, ose e njëjta të bëhet që të hidhet raporti i komisionit disiplinor nëse plotësohet me përshkrimin për shembull, hedhet poshtë raporti i komisionit disiplinor për shkak të kalimit të afateve të parapara me këtë rregullore për përpilimin e raportit ose i njëjti nuk është përpiluar në pajtim me rregulloren domethënë siç e përcakton pastaj neni 19 se çka duhet të përmbajë raporti”, tha Ujkani.

Arian Gashi kryesues i KPK-së tha se kjo çështje është e rregulluar me ligj, mirëpo mund të ndryshohet nëse duan.

“Keni parasysh se dallon procedura disiplinore ndaj shembull siç është edhe e rregulluar me ligjin për përgjegjësi disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak se atje është autoriteti kompetent, ai i cili mund të fillojë, mund ta dërgojë pastaj në këshill, ndërsa raporti i komisionit do të thotë që u paraqit në këshill, është rregulluar edhe me ligj në një pjesë, por edhe me këtë rregullore që është e veçantë. Prandaj unë mendoj që, domethënë, mund të mbetet kështu, është gabim, megjithatë nëse keni propozim konkret që pika 2.2 e nenit 20 të ndryshohet atëherë  mundemi me ndryshua pse jo”, tha Gashi./EO