Iu dha lamtumira e fundit Shaip Haxhiut, babait të U.D. të presidentes Albulena Haxhiu
Mes lotëve dhe dhimbjes së thellë iu dha sot lamtumira e fundit Shaip Haxhiut, babait të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut.
Varrimi u bë në fshatin Lupç të komunës së Podujevës, ku morën pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të lartë institucionalë.
Vajza e madhe e familjes, Lindita Haxhiu, motra e Albulena Haxhiut, në fjalën e saj, tha se
vlerat e babait Shaip Haxhiut do të jenë udhërrëfyesi i tyre në në jetë.
“Vdekja e tij na ka lënë një boshllëk të madh, na ka lënë dhimbje që vetëm koha mundet me e zbut. Ju që e keni njohur babin e dini që ai ka pasur një karakter shumë të fortë, njeri besës e i fjalës prej të cilit ne kemi mësuar shumë. Ka qenë gjithmonë i drejtë dhe na ka lënë shumë vlera trashëgim e ndër to dhe ndershmëria, respekti për njerëzit dhe dashnia për vendin. E këto vlera do të jenë udhërrëfyesi ynë në jetë”, tha Lindita Haxhiu.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të shumtë institucionalë e politikë nga i gjithë spektri politik në vend. Në mesin e tyre ishin kryeministri Albin Kurti, ministra dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ish-presidentja Vjosa Osmani dhe përfaqësues të partive opozitare.
E pamja për të ndjerin do të mbahet tri ditë në Hotel Grand nga ora 9:00 deri në 17:00.
















