Zbatimi i plotë i rregullave të reja për hyrje- dalje në Zonën Schengen, Ministria del me njoftim

E publikuar: 10/04/2026 16:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e hyrjes së plotë në fuqi të sistemit të hyrje/daljes (EES) në Zonën Schengen Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje se cfarë u duhet qytetarëve të Kosovës që kalojnë kufirin.

Detajet më poshtë

Njoftim për zbatimin e plotë të Sistemit të Hyrje/Daljes (EES) në Zonën Schengen

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian nga sot (10 prill 2026) do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të  Zonës Schengen.

Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë.

Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si:

gjurmët e gishtërinjve;

fotografia e fytyrës;

të dhënat e dokumentit të udhëtimit.

Nga 10 prilli 2026, ky sistem zëvendëson plotësisht vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara.

Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke plotësuar këto kushte:

Të posedojnë pasaportë biometrike valide (e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së kthimit);

Të justifikojnë qëllimin e udhëtimit (turizëm, vizitë familjare, biznes, etj.);

Të kenë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për qëndrimin;

Të kenë biletë kthimi ose dëshmi për vazhdimin e udhëtimit;

Të mos jenë në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.

Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë sistem.